Dr. Xhiliola Bixheku ka përfunduar studimet e larta universitare “Bachelor” në “Biologji”, si dhe “Master i Shkencave” në “Bioteknologji Molekulare dhe Industriale”, në Universitetin e Tiranës. Po ashtu, Dr. Bixheku ka përfunduar studimet e ciklit të tretë “Doktoratë”, duke zotëruar gradën shkencore “Doktor” në “Shkencat e Prodhimit Shtazor”, të përfunduar në Universitetin Bujqësor të Tiranës.
Dr. Bixheku ka një përvojë të pasur profesionale në fushën e arsimit të lartë, duke filluar që prej muajit Janar të vitit 2016 e në vazhdim si pjesë e Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë, është emëruar me Urdhër Nr. 4, datë 17.01.2023.
Dr. Bixheku më herët ka punuar në pozicionin e biologes, pranë një laboratori mjekësor. Në kuadër të zhvillimit të studimeve të saj të doktoratës ka qenë e angazhuar në mësimdhënie në Universitetin Bujqësor të Tiranës (UBT), ku prej vitit akademik 2021-2022 ka qenë e angazhuar edhe si pedagoge e ftuar.
Dr. Bixheku, si pjesë e stafit të ASCAL, ka qenë e angazhuar në shumë procese vlerësimi të jashtëm në kuadër të akreditimit të institucioneve të arsimit të lartë dhe programeve të studimit të ofruara prej tyre, përfshirë këtu akreditimin institucional me Agjencinë Britanike QAA, ka qenë pjesë e sekretariatit të Bordit të Akreditimit prej muajit tetor të vitit 2016, ka koordinuar procesin e Sondazhit Kombëtar të Studentëve (SKS) të zhvilluar në periudhën Mars – Qershor 2022, ka përfaqësuar ASCAL në projekte e aktivitete të shumta kombëtare dhe ndërkombëtare, ka kontribuar si hartuese e standardeve të cilësisë në arsimin e lartë, ka qenë pjesë e një sërë grupesh pune, si për hartimin e projektligjit “Për Shkencën”, hartimin e Projekt-Strategjisë së Shkencës dhe Inovacionit, rankimin e institucioneve të arsimit të lartë, etj.
Dr. Bixheku është autore dhe bashkëautore e disa artikujve shkencorë, të publikuar brenda dhe jashtë vendit.