Bazuar në Ligjin nr. 80/2015, "Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë" dhe VKM nr. 109, datë 15.02.2017, "Për organizimin dhe funksionimin e Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (ASCAL) e të Bordit të Akreditimit (BA) dhe për përcaktimin e tarifave për proceset e sigurimit të cilësisë në Arsimin e Lartë", një nga mekanizmat kryesorë të sigurimit të jashtëm të cilësisë është vlerësimi i cilësisë së mësimdhënies nëpërmjet Sondazhit Kombëtar të Studentëve (SKS). Kjo metodologji është e përhapur në mjaft vende me arsim të lartë të konsoliduar dhe përdoret jo vetëm për këtë qëllim por për të nxjerrë informacione të nevojshme për funksionimin e arsimit të lartë në tërësi apo aspekte të veçanta të operimit dhe funksionimit.
Nëpërmjet SKS, ASCAL dhe BA do të vlerësojnë se në çfarë mase institucionet përmbushin kënaqshmëritë e studentëve sipas këndvështrimit të tyre. Procesi është anonim dhe bazohet tërësisht në opinionin individual të studentëve për institucionet ku ata studiojnë. Të dhënat dhe informacionet e marra do të përpunohen statistikisht me anën e programeve kompjuterike dhe do të përdoren në mënyrë të tillë për qëllimet e sipërcituara pa referenca individuale në lidhje me përgjigjet e dhëna.
Bordi i Akreditimit ka marrë vendime dhe ka miratuar manualin “Vlerësimi i cilësisë së mësimdhënies nëpërmjet pyetësorit kombëtar të studentëve”, ku është përshkruar e gjithë metodologjia që do ndiqet për SKS.
Matja e kënaqshmërisë së studentave nëpërmjet SKS bazohet në një pyetësor, i hartuar nga një grup ekspertësh. Duke i’u përgjigjur pyetjeve, studentët do të japin mendimin dhe vlerësimin e tyre për 6 (gjashtë) kategoritë e mëposhtme.
- Organizimi i institucionit, menaxhimi dhe funksionimi i tij
- Burimet në funksion të mësimdhënies
- Kurrikulat, përmbajtja dhe përditësimi
- Mësimdhënia, mësimnxënia, vlerësimi
- Aktiviteti kërkimor, projekte, studime, botime
- Studentët dhe mbështetja e tyre
Në përfundim të procesit hartohet raporti analitik me rezultatet e pyetësorëve për çdo IAL, shoqëruar me analizat përkatëse si dhe analiza krahasuese për indikatorë të ndryshëm përkundrejt interesit publik apo të politikëbërjes. Ky raport bëhet publik dhe i vihet në dispozicion Bordit të Akreditimit dhe ministrisë përgjegjëse për arsimin e lartë në kuadër të vendimmarrjes dhe politikëbërjes.
Realizimi i SKS është detyrim ligjor në kuadër të sigurimit të cilësisë dhe për këtë arsye këtij procesi do t'i nënshtrohen të gjitha IAL që operojnë në Republikën e Shqipërisë apo filiale të institucioneve të huaja të licencuara në vendin tonë.