Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë

VENDIM Nr. 113 datë 3.12.2010 - Universiteti “Aleksandër Xhuvani”

KËSHILLI I AKREDITIMIT
VENDIM
Nr. 113 datë 3.12.2010

Për Programet e Studimit të Ciklit të Tretë që përfundojnë me Doktoraturë në:
1. TRASHËGIMI KULTURORE
2. SHKENCA PEDAGOGJIKE
3. MBROTJE MJEDISI DHE BIODIVERSITET
4. SHKENCA GJUHËSORE
Këshilli i Akreditimit, pasi shqyrtoi propozimet për Programet e Reja të Studimit,
Doktoraturë në: “Shkenca Pedagogjike” të kërkuar nga Fakulteti i Shkencave të Edukimit;
“Mbrojtje Mjedisi dhe Biodiversiteti” të kërkuar nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës;
“Shkenca Gjuhësore” dhe “Trashëgimi Kulturore”, të kërkuara nga Fakulteti i Shkencave
Humane, Universiteti “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan, bazuar në raportin e vlerësimit
teknik, raportin e verifikimit të aspekteve ligjore dhe përmbajtësore, raportimin e
Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë për procedurën e vlerësimit dhe
respektimin e kritereve, arrin në këtë përfundim:
· Qëllimet dhe objektivat formuese të programit të studimit janë të pastrukturuara
dhe nuk i përmbahen brenda një projekti të madh kërkimor. Nuk ka elementë të
kërkimit shkencor dhe ka lëndë që nuk janë të nivelit të Doktoraturës por të nivelit Bachelor.
· Aplikimi për programin nuk plotëson kërkesat e Ligjit të arsimit të lartë, neni 26,
pika 1.3.1: Programet e studimeve të doktoratës janë programe të studimeve të
ciklit të tretë, me karakter plotësisht akademik, që kanë në bazë kërkim shkencor
dhe veprimtari krijuese.
· Syllabuset e disa lëndëve nuk përputhen me objektivat formuese të programit të
studimit.
· Programi i Doktoraturës nuk përmban elementët kryesore si: Bazat teorike për
studimet e thelluara; kërkimet sasiore dhe cilësore; lëndët teorike me zgjedhje dhe
përgatitje e disertacionit.
· Nuk përcaktohen tekste dhe literaturë që nevojiten për t'u lexuar nga studentët dhe
cilët janë në dispozicion të tyre. Nuk ka dëshmi të plota për ta vërtetuar këtë. Lista
e referencave për shumë lëndë është e pamjaftueshme, e vjetëruar dhe e
papërshtatshme për nivelin e studimeve të thelluara në Doktoraturë. Literatura e
përdorur në disa lëndë është me cikël leksionesh dhe tekstesh të shkruara nga
personeli akademik i Univesitetit dhe nuk ka literaturë në gjuhë të huaj.
· Personeli akademik nuk ka kualifikimin e duhur sipas VKM Nr. 864, datë
5.12.2007 dhe Urdhërit të MASH dhe ka mbingarkesë në personelin akademik ku 1
profesor mbulon deri në 6 lëndë si psh: E.Sadiku (3 lëndë është titullar i vetëm dhe
në 3 lëndë të tjera, bashkëtitullar) dhe A. Riska (4 lëndë është titullar i vetëm dhe
në 2 lëndë të tjera, bashkëtitullar). Ka personel akademik që figurojnë me ngarkesë
në 2 Doktoratura (Trashëgimi Kulturore dhe Shkenca Gjuhësore, perdagogët A.
Riska dhe A. Ballhysa). Nuk janë paraqitur kontratat për personelin akademik të
jashtëm. Në programin e studimit Trashëgimi Kulturore ka pedagogë të cilët janë
jashtë profilit të tyre akademik dhe që janë titullarë në shumë lëndë të ciklit të parë
dhe të dytë (p.sh. V. Kuri).
· Nuk ka asnjë formulim të saktë për kërkimet në internet që përfshijnë kërkimet në
adresat e nevojshme të cilat universiteti i ka paguar (p.sh kërkime në disa revista të
specializuara). Studentët nuk kanë mundësi për të printuar artikuj nga revista të
ndryshme për studim të mëvonshëm, pasi kjo nuk përmendet në aplikim.
Këshilli i Akreditimit, bazuar në kompetencën që i jep Ligji Nr 9741, datë
21.5.2007, Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, VKM Nr. 303,
datë 01.07.1999, për Krijimin e Sistemit të Akreditimit në Arsimin e Lartë, i rekomandon
Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës:
1. Programi i Studimit: Doktor në Trashëgimi Kulturore të mos hapet
2. Programi i Studimit: Doktor në Shkenca Pedagogjike të mos hapet
3. Programi i Studimit: Doktor në Mbrotje Mjedisi Dhe Biodiversitet të mos hapet
4. Programi i Studimit: Doktor në Shkenca Gjuhësore të mos hapet
KËSHILLI i AKREDITIMIT
Zj. Anila Hoda, Z. Ilir Bozgo dhe Z. Vladimir Nika nuk ishin të pranishëm në këtë mbledhje.