Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë

VENDIM Nr. 135 datë 21.01.2011 - SHLUP "UFO University"

KËSHILLI I AKREDITIMIT
VENDIM
Nr. 135 datë 21.01.2011

Për Programet e Studimit të Ciklit të Parë që përfundojnë me Bachelor (Bsc) në:
1. INFERMIERI
2. GJUHË ANGLEZE
3. MARKETING
4. TEKNOLOGJI INFORMACIONI
5. INXHINIERI ELEKTRONIKE
6. INXHINIERI KOMPJUTERIKE
7. INXHINIERI MEKATRONIKE
Për Programet e Studimit të Ciklit të Dytë që përfundojnë me Master i Shkencave (Msc) në:
1. TEKNOLOGJI INFORMACIONI
2. INXHINIERI ELEKTRONIKE
3. INXHINIERI KOMPJUTERIKE
4. INXHINIERI MEKATRONIKE
Këshilli i Akreditimit, pasi shqyrtoi propozimet për Programet e Reja të Studimit, Bachelor në “Infermieri”; Bachelor në “Gjuhë Angleze”; Bachelor në “Marketing”; Bachelor në “Teknologji Informacioni”; Bachelor në “Inxhinieri Elektronike”; Bachelor në “Inxhinieri Kompjuterike”; Bachelor në “Inxhinieri Mekatronike”; Master i Shkencave në “Teknologji Informacioni”; Master i Shkencave në “Inxhinieri Elektronike”; Master i Shkencave në “Inxhinieri Kompjuterike”; Master i Shkencave në “Inxhinieri Mekatronike”, të kërkuara nga ShLUP “UFO University”, Tiranë, bazuar në raportet e vlerësimit teknik dhe në përmbajtje, raportimin e Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë për procedurën e vlerësimit dhe respektimin e kritereve, bazuar në standardet shtetërore të cilësisë, arrin në këtë përfundim se:
1. Përmbajtja e Programit të Ri të Studimit, Bsc në “Infermieri”, përmbush pjesërisht standardet e cilësisë dhe për këtë arsye vendos kushtet e mëposhtme, pas plotësimit dhe verifikimit të të cilave jep vlerësim përfundimtar:
Kushtet:

  • Të rishihet grupimi i lëndëve
  • Të shihet mundësia që studentët të mund të zgjedhin lëndë me zgjedhje
  • Lënda “Latinishte” të zhvillohet në vitin e parë
  • Lënda “Obstetrike” dhe “Pediatria” duhet të zhvillohet nga specialistët në fushat përkatëse
  • Përmbajtja e temave të lëndës “Etikë mjekësore” i përkasin një program studimit “Stomatologji”.
  • Institucioni duhet të paraqesë marrëveshjet me institucionet për kryerjen e praktikave profesionale

2. Përmbajtja e Programit të Ri të Studimit, Bsc në “Gjuhë Angleze” nuk përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësim negativ.
3. Përmbajtja e Programit të Ri të Studimit, Bsc në “Marketing”, përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin pozitiv.
4. Përmbajtja e Programit të Ri të Studimit, Bsc në “Teknologji Informacioni”, përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin  pozitiv, me sugjerimin që: Të punësohen më shumë pedagogë të brendshëm.
5. Përmbajtja e Programit të Ri të Studimit, Bsc në “Inxhinieri Elektronike” përmbush pjesërisht standardet e cilësisë dhe për këtë arsye vendos kushtet e mëposhtme, pas plotësimit dhe verifikimit të të cilave do të jepet vlerësimi përfundimtar:
Kushtet:

  • Të parashikohen punë laboratorike në lëndët “Fizika” dhe “Kimia”
  • Të plotësohen syllabuset me elementët që mungojnë: titullari i lëndës; ndarja në kredite e aktiviteteve didaktike brenda lëndës/modulit përkatës; informacion për numrin, kohëzgjatjen dhe emërtimet e laboratorëve, etj.
  • Të eliminohet jouniformiteti i terminologjisë në paraqitjen e syllabuseve si dhe mospërputhjet e të dhënave të planit mësimor me ato të syllabuseve.
  • Disiplinat C dhe E të respektojnë udhëzimet e MASh.

6. Përmbajtja e Programit të Ri të Studimit, Bsc në “Inxhinieri Kompjuterike” përmbush pjesërisht standardet e cilësisë dhe për këtë arsye vendos kushtet e mëposhtme, pas plotësimit dhe verifikimit të të cilave do të jepet vlerësimi përfundimtar:
Kushtet:

  • Të plotësohen të dhënat mbi personelin akademik që do të angazhohet në realizimin e këtij programi, duke specifikuar në veçanti se cilët janë pedagogë efektivë (të brendshëm) të universitetit dhe cilët, të jashtëm.
  • Të përcaktohet më qartë tregu i punës për formimin që ofron ky program, i cili duhet t’i përgjigjet Inxhinierisë Kompjuterike dhe jo asaj Elektronike, siç deklarohet në material
  • Të plotësohen syllabuset e lëndëve/moduleve me elementët që mungojnë, në veçanti me emrin dhe kualifikimin e pedagogut që do të zhvillojë lëndën/modulin.
  • Të detajohen modalitet e përgatitjes dhe të mbrojtjes së tezës së diplomës.
  • Të rregullohen mospërputhjet midis të dhënave të planit mësimor dhe atyre të syllabuseve të veçanta, përsa u përket elementëve të tillë si: emërtimet e lëndëve, semestri dhe viti i zhvillimit të tyre, kreditet e lëndëve, ngarkesa mësimore dhe raportet e ndarjes së saj, etj.
  • Syllabusi i lëndës “Gjuhë Angleze” të parashikojë specifikisht zhvillimi e kësaj lënde në programin e studimit Bachelor në Inxhinieri Kompjuterike, siç parashikohet për të gjithë fakultetet e tjera të kësaj IAL

7. Përmbajtja e Programit të Ri të Studimit, Bsc në “Inxhinieri Mekatronike” përmbush pjesërisht standardet e cilësisë dhe për këtë arsye vendos kushtet e mëposhtme, pas plotësimit dhe verifikimit të të cilave do të jepet vlerësimi përfundimtar:
Kushtet:

  • Të qartësohet filozofia e përmbajtjes së formimit që ofron ky program studimi.
  • Objektivat formuese të riformulohen, sepse në mënyrën e paraqitur ato nuk i përgjigjen titullit të diplomimit (Inxhinieri Mekatronike).
  • Të plotësohet programi me disiplina/module të fushës së mekanikës, për të krijuar një raport më të ekuilibruar me njohuritë e fushës së elektronikës dhe informatikës, në përshtatje me objektivat e këtij formimi inxhinierik.
  • Për vetë natyrën e tij ndërdisiplinore, ky program duhet të realizohet nëpërmjet një bashkëpunimi institucional mes departamenteve/fakulteteve të ndryshme dhe jo të merret përsipër nga një departament i vetëm, si ai i Elektronikës, i cili nuk mund të mbulojë fusha të tilla si matematika, kimia, mekanika etj.
  • Duhen eliminuar disa difekte në konceptimin e planit mësimor dhe të syllabuseve të veçanta, si përmbajtje të njejta për disiplina të ndryshme, raport jo i përshtatshëm ndërmjet orëve në auditor dhe atyre jashtë tij (në favor të këtyre të fundit), leksione që dominojnë orët e gjuhëve të huaja si dhe përfshirja e lëndëve të parakohshme për këtë nivel të parë studimi, si “Menaxhimi i cilësisë Industriale”, etj.

8. Përmbajtja e Programit të Ri të Studimit, Msc në “Teknologji Informacioni”, përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin pozitiv.
9. Përmbajtja e Programit të Ri të Studimit, Msc në “Inxhinieri Elektronike” përmbush pjesërisht standardet e cilësisë dhe për këtë arsye vendos kushtet e mëposhtme, pas plotësimit dhe verifikimit të të cilave do të jepet vlerësimi përfundimtar:
Kushtet:

  • Të qartësohen të dhëna për pedagogët/asistentët që do të angazhohen me kohë të plotë apo të pjesshme për realizimin e programit. Të paraqiten kopje të kontratave të punës së këtyre pedagogëve.
  • Të plotësohen syllabuset me elementët që mungojnë ( titullari i lëndës; ndarja në kredite e aktiviteteve didaktike brenda lëndës/modulit përkatës, informacion për numrin, kohëzgjatjen dhe emërtimet e laboratorëve, etj.), si dhe të unifikohet terminologjia e përdorur në to.
  • Të jepet informacion mbi kërkesat që duhet të plotësojë punimi i diplomës dhe mbi mënyrën e realizimit të tij.

10. Përmbajtja e Programit të Ri të Studimit, Msc në “Inxhinieri Kompjuterike” përmbush pjesërisht standardet e cilësisë dhe për këtë arsye vendos kushtet e mëposhtme, pas plotësimit dhe verifikimit të të cilave do të jepet vlerësimi përfundimtar:
Kushtet:

  • Të plotësohen të dhënat mbi personelin akademik që do të angazhohet në realizimin e këtij programi, duke specifikuar në veçanti se cilët janë pedagogë efektivë (të brendshëm) të universitetit dhe cilët, të jashtëm.
  • Të plotësohen syllabuset e lëndëve/moduleve me elementët që mungojnë, në veçanti me emrin dhe kualifikimin e pedagogut që do të zhvillojë lëndën/modulin.
  • Të paraqiten të dhëna për tezën e diplomës (kërkesat për përmbajtjen e saj, mënyrën e përgatitjes dhe të paraqitjes, vendin e përgatitjes, mënyrën e mbrojtjes, etj).
  • Të eliminohen mospërputhjet midis të dhënave të planit mësimor dhe atyre të syllabuseve të veçanta, përsa u përket elementëve të tillë si, emërtimet e lëndëve, semestri dhe viti i zhvillimit të tyre, kreditet e lëndëve, ngarkesa mësimore dhe raportet e ndarjes së saj, etj.
  • Të përputhen të dhënat e paraqitur në organizimin e programit të studimit, me ato të Rregullores, si për shembull: emërtimi i programit, kreditet e Tezës së diplomës (Teza e diplomës ka 14 ECTS, ndërkohë që në planin mësimor të paraqitur në Rregullore ka 30 ECTS), etj.

11. Përmbajtja e Programit të Ri të Studimit, Msc në “Inxhinieri Mekatronike” përmbush pjesërisht standardet e cilësisë dhe për këtë arsye vendos kushtet e mëposhtme, pas plotësimit dhe verifikimit të të cilave do të jepet vlerësimi përfundimtar:
Kushtet:

  • Duhet bërë plotësime të rëndësishme në personelin akademik, sepse në gjendjen e paraqitur rezulton se ky personel, në mënyrë masive, nuk plotëson kërkesat e nivelit të kualifikimit të nevojshëm dhe, për rrjedhojë, nuk jep garanci për realizimin e programit.
  • Duhet vendosur një raport më i ballancuar ndërmjet fushave bazë të formimit: mekanikës, elektronikës, elektroteknikës, informatikës.
  • Duhen eleminuar mospërputhjet ndërmjet të dhënave të planit mësimor dhe emërtimit apo përmbajtjes së syllabuseve. Në këto të fundit duhet shmangur literatura e tejkaluar nga koha.
  • Duhet rregulluar raporti ndërmjet orëve në auditor dhe atyre jashtë tij, sepse rezulton i ekzagjeruar në favor të këtyre të fundit (3:1).
  • Për vetë natyrën ndërdisiplinore dhe nivelin e tij (Master Shkencor), ky program duhet realizuar nëpërmjet një bashkëpunimi institucional mes departamenteve/fakulteteve të ndryshme (përfshirë edhe bashkëpunimin me institucione të tjera) dhe jo të merret përsipër nga një departament i vetëm, si ai i Elektronikës.

Këshilli i Akreditimit, bazuar në kompetencën që i jep Ligji Nr 9741, datë 21.5.2007, Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, VKM Nr. 303, datë 1.7.1999, për Krijimin e Sistemit të Akreditimit në Arsimin e Lartë, i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës:
Programi i Studimit: Bachelor në “Gjuhë Angleze” të mos hapet
Programi i Studimit: Bachelor në “Marketing” të hapet
Programi i Studimit: Bachelor në “Teknologji Informacioni” të hapet
Programi i Studimit: Master i Shkencave në “Teknologji Informacioni” të hapet
Institucioni aplikues “Ufo University”, për programet e studimit: Bachelor në “Infermieri”; Bachelor në “Inxhinieri Elektronike”; Bachelor në “Inxhinieri Kompjuterike”; Bachelor në “Inxhinieri Mekatronike”; Master i Shkencave në “Inxhinieri Elektronike”; Master i Shkencave në “Inxhinieri Kompjuterike” dhe Master i Shkencave në “Inxhinieri Mekatronike”, pasi të jenë plotësuar kushtet e mësipërme për secilin program studimi, të njoftojë zyrtarisht Këshillin e Akreditimit, i cili, pas verifikimit, do të rifillojë procedurën për vlerësimin e programeve të mësipërme.

KËSHILLI i AKREDITIMIT