Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë

VENDIM Nr. 158 datë 25.03.2011 - SHLUP "Kristal"

KËSHILLI I AKREDITIMIT
VENDIM
Nr. 158 datë 25.03.2011

Për vlerësimin në kuadër të heqjes së kushteve të akreditimit për Fakultetin e Administrim Biznesit; Fakultetin e Shkencave Politike; Fakultetin e Elektronikës dhe Fakultetin e Infermierisë si dhe për programet e studimit të ciklit të parë (DNP/Bachelor) në: “Financë”; “Administrim Biznesi”; “Marrëdhënie Ndërkombëtare”; “Elektronikë”; “Informatikë” dhe “Infermieri”, të Shkollës së Lartë Universitare Private “Universiteti Kristal”.
Këshilli i Akreditimit, pasi shqyrtoi vlerësimin në kuadër të heqjes së kushteve të akreditimit për Fakultetin e Administrim Biznesit; Fakultetin e Shkencave Politike; Fakultetin e Elektronikës dhe Fakultetin e Infermierisë si dhe për programet e studimit të ciklit të parë (DNP/Bachelor) në: “Financë”; “Administrim Biznesi”; “Marrëdhënie Ndërkombëtare”; “Elektronikë”; “Informatikë” dhe “Infermieri”, të Shkollës së Lartë Universitare Private “Universiteti Kristal”, mbështetur në raportin e vetëvlerësimit, raportin e vlerësimit të jashtëm, në raportimin e Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë, jep vlerësimin përfundimtar pozitiv pasi janë në përputhje me standardet, kërkesat ligjore institucionale dhe akademike në fuqi.
Në lidhje me plotësimin e kushteve të akreditimit, Këshilli i Akreditimit arrin në këto përfundime:
Për Fakultetin e Administrim Biznesit; Fakultetin e Shkencave Politike; Fakultetin e Elektronikës dhe Fakultetin e Infermierisë:
1. Regjistri themeltar i studentëve është konstituuar në përputhje me normat ligjore në Republikën e Shqipërisë. Janë ndërtuar regjistra të reja ku janë paraqitur të dhënat themeltare të studentëve.
2. Notat janë hedhur saktësisht dhe përgjithësisht janë bërë ekuivalentimet e krediteve për programet e studimit por ka vend që kjo procedurë të përmirësohet më tej duke zbatuar me rigorozitet procedurat e transferimit të krediteve.
3. Vihet re një përpjekje për të përmirësuar kushtin e përmbushjes së detyrimit ligjor për burimet njerëzore akademike sipas neneve të ligjit të arsimit të lartë. Departamnetet kanë personel akademik me tituj dhe grada por lipset që në të ardhmen ato të kompletohen me më shumë personel me tituj Profesor.
4. Janë ristrukturuar sipas normave ligjeve në fuqi organigrama e fakulteteve të Shkencave Politike dhe Menaxhim Biznesit. Kështu Fakulteti i Administrim Biznesit është riorganizuar me tre Departamente: Financë, Menaxhim biznesi dhe Administrim Publik.
Për programet e studimit Bachelor në “Financë”; Bachelor në “Administrim Biznesi” dhe Bachelor në “Marrëdhënie Ndërkombëtare”:
1. Institucioni ka përmbushur përgjithësisht kushtet e vendosura në vendimin Nr. 51, datë 09.11.2009 të Këshillit të Akreditimit. Institucioni ka bërë përmirësime në statutin e IAL, duke qartësuar kompetencat e organeve kolegjiale (bordit administrativ dhe senatit) lidhur me vendimmarjen në proceset akademike, ka
plotësuar dokumentacionin mbi personelin akademik si dhe ka miratuar dhe zbaton rregullora të posaçme mbi transferimet, të mbështetura në legjislacion.
Për programet e studimit Bachelor në “Informatikë” dhe Bachelor në “Elektronikë”:
1. Institucioni ka përmbushur, plotësisht nevojat për mjediset, laboratorë
2. Institucioni ka bërë përmirësime në vendosjen e lidhjeve me Institucione dhe Universitete të huaja
3. Ka miratuar dhe zbaton rregulla të posaçme mbi transferimet, të mbështetura në legjislacion
Për programin e studimit Bachelor në “Infermieri”:
1. Është përcaktuar në Rregulloren e Fakultetit të Infermierisë pozicioni dhe detyrat e Kancelarit
2. Procedurat e njohjes dhe ekuivalentimet dhe transferimet për studentët janë në përputhje me Ligjin e Arsimit të Lartë dhe Udhëzimet e MASh
3. Janë bërë përmirësime lidhur me mbulimin e lëndëve me tekste apo leksione
4. Vlerësimi i Brendshëm i Cilësisë konsiderohej si një proces i vazhdueshëm, jo vetëm për Fakultetin e Infermierisë, por për të gjitha njësitë kryesore të këtij Universiteti.
Këshilli i Akreditimit, bazuar në kompetencën që i jep Ligji Nr 9741, datë 21.5.2007/i ndryshuar, Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, VKM Nr. 303, datë 1.7.1999, Për Krijimin e Sistemit të Akreditimit në Arsimin e Lartë, i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës:
Heqjen e kushteve të akreditimit Institucionit të Arsimit të Lartë Privat “Universiteti Kristal” për Fakultetin e Administrim Biznesit; Fakultetin e Shkencave Politike; Fakultetin e Elektronikës dhe Fakultetin e Infermierisë si dhe të programeve të studimit të ciklit të parë (DNP/Bachelor) në “Financë”; “Administrim Biznesi”; “Marrëdhënie Ndërkombëtare”; “Elektronikë”; “Informatikë” dhe “Infermieri”, bazuar në Vendimin e Këshillit të Akreditimit Nr. 51, datë 09.11.2009.
KËSHILLI i AKREDITIMIT
Bardhyl MUSAI Kryetar __________________________
Anila HODA Nën/Kryetar __________________________
Gëzim HADAJ Anëtar __________________________
Emil LAMANI Anëtar __________________________
Vladimir NIKA Anëtar __________________________
Shyqyri LLACI Anëtar __________________________
Edlira Late Anëtar __________________________
Ilir BOZGO Anëtar __________________________
Qamil DIKA Anëtar __________________________