Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë

VENDIM Nr. 163 datë 15.04.2011 - SHLUP "Kristal"

KËSHILLI I AKREDITIMIT
VENDIM
Nr. 163 datë 15.04.2011

Për akreditimin e Programeve të Studimit që përfundojnë me Diplomë e Nivelit të Parë/Bachelor në “Shkenca Komunikimi”; Diplomë e Nivelit të Parë/Bachelor në “Teknologji Informacioni”; Diplomë e Nivelit të Parë/Bachelor në “Administrim Publik” dhe Master i Nivelit të Parë në “Shëndet Publik dhe Menaxhim Spitalor”, të Shkollës së Lartë Universitare Private “Universiteti Kristal”.
Këshilli i Akreditimit, pasi shqyrtoi vlerësimin e Programeve të Studimit Diplomë e Nivelit të Parë/Bachelor në “Shkenca Komunikimi”; Diplomë e Nivelit të Parë/Bachelor në “Teknologji Informacioni”; Diplomë e Nivelit të Parë/Bachelor në “Administrim Publik” dhe Master i Nivelit të Parë në “Shëndet Publik dhe Menaxhim Spitalor” të Shkollës së Lartë Universitare Private “Universiteti Kristal”, të kryer në periudhën Tetor 2010 – Mars 2011, mbështetur në raportin e vetëvlerësimit, raportin e vlerësimit të jashtëm, në raportimin e Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë, jep vlerësimin përfundimtar Pozitiv, pasi janë në përputhje me standardet, kërkesat ligjore institucionale dhe akademike në fuqi.
Këshilli i Akreditimit vëren se në përgjithësi programet e studimit, i kanë përmbushur objektivat e tyre formues, por ka edhe disa mangësi në realizimin tërësor dhe me cilësi të procesit të formimit të studentëve dhe pajisjes së tyre me dijet dhe shprehitë e nevojshme dhe për këtë qëllim
REKOMANDON:
Me gjithë vlerësimet pozitive ka edhe disa sugjerime që të shikohen për të rritur nivelin e këtij institucioni, të cilat janë:
Për programin e studimit Diplomë e Nivelit të Parë/Bachelor në “Shkenca Komunikimi”
·Të zgjerohet monitorimin i ecurisë së Procesit të Bolonjës me qëllim që të përmirësohet dhe të arrihen objektivat e zhvillimit të mëtejshme.
·Të rishikohen mënyrat e pranimit të studentëve duke përcaktuar kritere përzgjedhjeje që të mundësojnë rritjen e cilësisë së arsimit në këtë fakultet.
·Të përmirësohet më tej mekanizmi i brendshëm i vlerësimit të cilësisë e të rregullohet më mirë funksionimi i tij. Ky mekanizëm duhet të përfishjë edhe trajnimin e stafeve. Përbërja e grupit të vlerësimit të formohet edhe nga studentë.
·Të plotësohen të gjitha lëndët me literaturë të viteve të fundit, në shqip dhe në gjuhë huaj.
·Emërtimi lëndëve duhet të jetë i njëjtë si në syllabus edhe në Planin Mësimor. Syllabuset të kenë një format standard për të gjitha disiplinat. Të realizohet një shpërndarje më e mirë e lëndëve, sidomos për vitin e tretë. Të shmanget fakti që një pedagog të mbulojë më shumë se tri lëndë siç paraqitet në disa raste.
·Të realizohet krijimi i Këshilli Shkencor të lidhur me Departamentin e Shkencave të Komunikimit. Ai të përbëhet nga persona me tituj dhe grada dhe në përbërje të tij të këtë përfaqësim nga studentët.
·Të rregullohet raporti pedagogë të brendshëm/pedagogë të jashtëm në mënyrë që të rritet numri i pedagogëve të brendshëm që do të angazhohen në mësimdhënie.
·Të institucionalizohen marrëdhëniet e njësisë me institucionet e tjera shtetërore për partnership në fushën e mësimdhënies dhe kërkimit shkencor.
Për programin e studimit Diplomë e Nivelit të Parë/Bachelor në “Teknologji Informacioni”
·Të rritet punësimi i pedagogëve të brendshëm dhe të rritet shkalla e kualifikimit të tyre.
·Të intensifikohen përpjekjet për rritjen e numrit të studentëve të pranuar, duke përdorur politika më efektive marketingu.
·Të ndiqen politika specifike për të mundësur rritjen e cilësisë së studentëve të pranuar në FE, gjë që do të ndikonte pozitivisht në konsolidimin e një emri të mirë të këtij fakulteti si pranë shkollave të mesme që përbëjnë kontigjentin e të pranuarve, ashtu edhe në ndërmarrjet e institucionet e ndryshme që përbëjnë punëdhënësit potencialë.
·Të ndiqet studenti edhe pas përfundimit të studimeve në UK në karierrën e tij profesionale.
·Të shikohet mundësia e angazhimit të studentëve në strukturat përkatëse të kërkimit shkencor.
·Të rritet bashkëpunimi edhe me ndërmarrjet apo kompanitë vendase apo të huaja që operojnë në vendin tonë me qëllim njohjen në to të kontigjentit të të diplomuarve të FE për të rritur shanset e punësimit.
·Të hartohen programe të plota të kërkimit shkencor dhe të zgjerohet pjesmarrja në projekte kërkimi në funksion të ekonomisë shqiptare.
·Të zgjerohet Literatura shkencore vendase dhe e huaj në bibliotekë si nga larmia ashtu edhe nga tirazhi.
Për programin e studimit Diplomë e Nivelit të Parë/Bachelor në”Administrim Publik”
·Të shikohet mundësia e pasurimit të personelit akademik të brendshëm.
Për programin e studimit Master i Nivelit të Parë në “Shëndet Publik dhe Menaxhim Spitalor”
·Të ulet numri i pranimit të studentëve në Master, gjë që do të krijonte më shumë mundësi për përgatitjen më cilësore të tyre dhe një përdorim më efiçent të zhvillimit interaktiv të tyre.
·Të shikohet mundësia për shtimin gradual të pedagogëve efektivë me tituj, megjithë vështirësitë objektive që kanë universitetet e reja, përfshirë edhe Universitetin Kristal.
·Të përmirësohet cilësia e përzgjedhjes së lëndëve me karakter ekonomik që do të ndihmonin më shumë në formimin e studentëve me elementët e menaxhimit.
Këshilli i Akreditimit, bazuar në kompetencën që i jep Ligji Nr 9741, datë 21.5.2007, Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, VKM Nr. 303, datë 1.7.1999, Për Krijimin e Sistemit të Akreditimit në Arsimin e Lartë, VKM Nr. 424, datë 2.6.2010, për Miratimin e rregullores për sistemin e akreditimit, organizimin dhe veprimtarinë e institucioneve të sigurimit të jashtëm të cilësisë, i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës:
Programi i Studimit: Diplomë e Nivelit të Parë/Bachelor në Shkenca Komunikimi të akreditohet.
Programi i Studimit: Diplomë e Nivelit të Parë/Bachelor në Teknologji Informacioni të akreditohet.
Programi i Studimit: Diplomë e Nivelit të Parë/Bachelor në Administrim Publik të akreditohet.
Programi i Studimit: Master i Nivelit të Parë në Shëndet Publik dhe Menaxhim Spitalor të akreditohet.


KËSHILLI i AKREDITIMIT