KËSHILLI I AKREDITIMIT
VENDIM
Nr. 17 datë 19.06.2009
Për akreditimin e Fakultetit të Drejtësisë dhe të Programeve të Studimit që përfundojnë me Jurist (Diplomë e sistemit të vjetër 4-vjeçar) dhe Diplomë e Nivelit të Parë në Drejtësi, të Shkollës së Lartë Universitare Private “Justiniani I”.
Këshilli i Akreditimit, pasi shqyrtoi vlerësimin institucional të Fakultetit të Drejtësisë dhe të Programeve të Studimit Jurist (Diplomë e sistemit të vjetër 4- vjeçar) dhe Diplomë e Nivelit të Parë në Drejtësi të Shkollës së Lartë Universitare Private “Justiniani I”, të kryer në periudhën Janar – Qershor 2009, mbështetur në raportin e vetëvlerësimit, raportin e vlerësimit të jashtëm, në raportimin e Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë për procedurën e vlerësimit si dhe raportimin e Ekspertëve të Jashtëm, jep vlerësimin përfundimtar pozitiv për Fakultetin e Drejtësisë dhe dy Programet e Studimit: Jurist (Diplomë e Sistemit të Vjetër 4 – Vjeçar) dhe Diplomë e Nivelit të Parë në Drejtësi (3 vjet) pasi janë në përputhje me standardet, kërkesat ligjore institucionale dhe akademike në fuqi.
Këshilli i Akreditimit, bazuar në kompetencën që i jep Ligji Nr 9741, datë 21.5.2007, Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, VKM Nr. 303, datë 1.7.1999, Për Krijimin e Sistemit të Akreditimit në Arsimin e Lartë, i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës:
Akreditimin Institucional të Fakultetit të Drejtësisë pranë Shkollës së Lartë Universitare Private “JUSTINIANI I”
Akreditimin e Programit të Studimit Jurist (Diplomë 4-vjeçare, e Nivelit të Parë)
Akreditimin e Programit të Studimit: Diplomë e Nivelit të Parë (3 vjet) në Drejtësi
dhe i rekomandon Fakultetit të Drejtësisë të Shkollës së Lartë Universitare Private “JUSTINIANI I”, për vitin e ardhshëm akademik 2009-2010, të bëjë përmirësimet e mëposhtëme:
1. Drejtuesit e shkollës të planifikojmë rritje të fondit për pasurimin e bibliotekës.
2. Të monitorohet zbatimi i procesit të Bolonjës me qëllim që të përmirësohet dhe të arrihen objektivat e tij.
3. Të ndahen qartë kompetencat mes organeve drejtuese sipas kërkesave të ligjit “Për Arsimin e Lartë në RSH”.
4. Kompetencat e organeve drejtuese kolegjiale të synojnë rritjen e rolit të Këshillit Shkencor dhe përcaktimin e saktë të kompetencave mes dekanit dhe rektorit.
5. Këshilli Shkencor i Fakultetit të Drejtësisë Justiniani I të zgjidhet nga personeli akademik dhe të përbëhet nga persona me tituj dhe grada ku të këtë përfaqësim nga administrata dhe studentët. Të përgatitet rregullorja e Këshillit të Fakultetit.
6. Të përmirësohet shkalla e kualifikimit të personelit akademik dhe rritja në mënyrë të qëndrueshme e personelit të brendshëm.
7. Raporti studentë/pedagog të rregullohet përmes rritjes së numrit të pedagogëve që do të angazhohen në mësimdhënie.
8. Nga drejtuesit të rishikohet mënyra e pranimit të studentëve duke përcaktuar kritere përzgjedhjeje që të mundësojnë rritjen e cilësisë së arsimimit në këtë fakultet. Fakulteti JUSTNIANI I të gjejë një mënyrë të re për të kthyer prurjet e larta të kandidatëve që e karakterizuan në 3 vitet e para të funksionimit në kushtet e reja të tregut duke saktësuar kriteret e hyrjes për një përzgjedhje më cilësore të studentëve.
9. Të rishikohet shpërndarja më e mirë e orëve sipas krediteve bazuar në ECTS. 10. Çdo departament dhe në nivel njësie të hartojë planin e punës shkencore deri edhe planin individual të çdo pedagogu.
11. Të institucionalizohen marrëdhëniet e njësisë me institucionet e tjera shtetërore për bashkëpunim në fushën e mësimdhënies dhe të kërkimit shkencor.
12. Të përgatitet rregullorja e funksionit të njësisë së vlerësimit të brendshëm dhe të trajnohet grupi, i përbërë nga persona që nuk janë drejtues, për vlerësimin periodik të cilësisë.
KËSHILLI i AKREDITIMIT