KËSHILLI I AKREDITIMIT
VENDIM
Nr. 192 datë 24.06.2011
Për Programet e Studimit të Ciklit të Parë që përfundojnë me Bachelor (B.Sc.) në:
1. INXHINIERI ELEKTRIKE
2. MEKATRONIKË
3. ADMINISTRIM PUBLIK
4. INXHINIERI NDËRTIMI
5. GJUHË DHE LETËRSI ARABE
Për Programet e Integruara të Studimit të Ciklit të Dytë që përfundojnë me Master i Shkencave (M.Sc.) në:
1. STOMATOLOGJI
2. MJEKËSI
3. FARMACI
Këshilli i Akreditimit, pasi shqyrtoi propozimet për Programet e Reja të Studimit, Bachelor dhe Master i Shkencave të kërkuara nga Shkolla e Lartë Private “Vitrina”, bazuar në raportin e vlerësimit teknik dhe në përmbajtje, raportimin e Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë për procedurën e vlerësimit dhe respektimin e kritereve, bazuar në standardet shtetërore të cilësisë, arrin në këtë përfundim:
1. Përmbajtja e Programit të Ri të Studimit, B.Sc. në “Inxhinieri Elektrike”, nuk përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Negativ, me argumentet:
· Plani mësimor duhet të rishikohet dhe të plotësohen mangësitë.
· Në syllabuset e paraqitura ka raste ku literatura nuk jepet, ndonjëherë paraqitet pa emërtim teksti, pa emër autori dhe e paqartë. Syllabuset nuk janë të standardizuara.
· Burimet njerëzore të brendshme nuk janë konform ligjit të IAL në fuqi (çdo njësi kryesore ka në përbërje 3 njësi bazë dhe çdo njësi bazë 8 të punësuar të brendshëm, duke mbajtur parasysh faktin se statusi i punonjësit të brendshëm është i vlefshëm vetëm për 1 Institucion i Arsimit të Lartë).
2. Përmbajtja e Programit të Ri të Studimit, B.Sc. në “Mekatronikë”, nuk përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Negativ, me argumentet:
· Paraqiten mangësi në syllabuse (P.sh paraqitet literaturë vetëm në gjuhën angleze) si dhe të rregullave për modularizimin e planit mësimor.
· Burimet njerëzore të brendshme nuk janë konform ligjit të IAL në fuqi (çdo njësi kryesore ka në përbërje 3 njësi bazë dhe çdo njësi bazë 8 të punësuar të
brendshëm, duke mbajtur parasysh faktin se statusi i punonjësit të brendshëm është i vlefshëm vetëm për 1 Institucion i Arsimit të Lartë).
3. Përmbajtja e Programit të Ri të Studimit, B.Sc. në “Administrim Publik”, nuk përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Negativ, me argumentet:
· Në program përfshihen lëndë të formimit të përgjithshëm, karakterizues dhe me zgjedhje që dalin jashtë raporteve të domosdoshme dhe optimale për programin. Lëndët si “Mikroekonomi” dhe “Makroekonomi” janë të panevojshme për këtë program studimi. Lëndë të formimit të biznesit dhe sasiore si “Baza e financës”; “Drejtim marketingu”; “Investime”; “Matematikë e zbatuar”; “Histori e mendimit ekonomik”; “Drejtimi i burimeve njerëzore” dhe “Bazat e ekonometrisë”. janë jashtë kërkesave dhe hapësirave të programit.
· Mungojnë lëndë të formimit të përgjithshëm, karakterizues dhe me zgjedhje, si “Kontabiliteti publik”; “Buxhetimi dhe financimi në sektorin publik”; “Qeverisja lokale” etj, që janë të domosdoshme për këtë program studimi.
· Programi ka mangësi në lidhje me syllabuset si dhe numrin e provimeve.
· Programi i studimit nuk ofron atë që i përket misionit, objektivave dhe emërtimit të tij.
4. Përmbajtja e Programit të Ri të Studimit, B.Sc. në “Inxhinieri Ndërtimi”, përmbush pjesërisht standardet e cilësisë dhe për këtë arsye vendos kushtet e mëposhtme, pas plotësimit dhe verifikimit të të cilave jep vlerësim përfundimtar:
Kushtet:
· Të rishikohet plani mësimor dhe programet mësimore në mënyrë që të garantohen njohuri profesionale specifike.
· Të përshtatet strukturimi i lëndëve në module, pasi bashkimi i paraqitur nuk është i qartë dhe është bërë në mënyrë mekanike.
· Të rishikohet plani mësimor duke bërë një shpërndarje sa më të përshtatshme të krediteve, në bazë të rëndësisë së lëndëve për formimin e inxhinierit të ndërtimit.
· Të rishikohen programet e lëndëve për të pasqyruar më saktë dhe më qartë literaturën bazë apo ndihmëse, e cila do të përdoret në procesin e mësimdhënies.
· Të përputhet, në disa raste, fusha akademike e personelit akademik me përvojën dhe lëndën që zhvillon.
· Të rishikohet literatura e propozuar, pasi shpesh është e papërshtatshme.
5. Përmbajtja e Programit të Ri të Studimit, B.Sc. në “Gjuhë dhe Letërsi Arabe”, përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Pozitiv, me sugjerime:
· Të plotësohen dhe të konkretizohen syllabuset me literaturën përkatëse (me gjithë kriteret e citimit të litëraturës si: Autori; Titulli; Shtëpia botuese; Viti dhe vend i botimit; numri i faqeve dhe ISBN).
· Të përditësohet literatura në syllabuset si “Letërsia Arabe” dhe “Përkthimi”.
· Të parashikohen më pak kredite për gjuhën angleze, në mënyrë që të jetë në përputhje me kriteret e Bolonjës dhe të shikohet mundësia që studenti të familjarizohet me ESP (anglishtja e specialitetit).
· Të rritet niveli i parashikuar në lëndën e “Gjuhës angleze” për të dy vitet akademike.
· Të shikohet mundësia e shmangies së lëndëve me zgjedhje si “Metodologjia e punës dhe biblotekë” pasi nuk i shërbejnë këtij programi studimi.
· Të pakësohet koeficenti i lëndëve me karakter didaktik (mësimdhënie) në favor të lëndëve të formimit të përgjithshëm.
6. Përmbajtja e Programit të Ri të Studimit, M.Sc në “Stomatologji”, nuk përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Negativ, me argumentet:
· Programi i studimit ka shumë mangësi në organizimin e tij, në misonin, objektivat (nuk janë të cilësuara dhe nuk përputhen me kohëzgjatjen dhe kurrikulën e prezantuar), organet drejtuese, stafin akademik dhe administrativ.
· Nuk është paraqitur Rregullore e plotë e një programi, në rregulloren e paraqitur mungon informacioni mbi kriteret e pranimit të studentëve, nota mesatare, kriteret e rekrutimit të stafit akademik me kohë të plotë dhe të ftuar.
· Ka mangësi në shpërndarjen e ngarkesës dhe lëndëve duke ndërthurur formimin e përgjithshëm dhe atë karakterizues, pothuajse gjysma e programit realizohet në dy vitet e para, duke mbingarkuar dhe bërë të pamundur përballimin nga studëntët.
· Ka mangësi dhe mospërputhje në shpërndarjen e ngarkesës mësimore dhe disiplinave e moduleve.
· Paraqitet mbingarkesë më lëndët e formimit të përgjithshëm (p.sh Gjenetikë, Mikrobiologji, Histologji, Farmakologji, ORL Okulistikë, Pediatri, Neuropsikiatri) dhe vendosja e tyre në në Vitin I dhe II, është e parakohshme.
· Disa lëndë të formimit karakterizues (Terapia dhe Protetika) dhe disa lëndë të formimit bazë (Anatomi, Fizikë dhe Informatika) kanë më pak kredite në krahasim me programet referuese.
· Mungon personeli akademik i kualifikuar dhe me përvojë akademike, personeli ndihmës, ngarkesa e personelit akademik me kohë të plote dhe të pjesshëm.
· Syllabuset paraqiten me shumë mangësi dhe pasaktësi në lidhje me literaturën e detyruar dhe ndihmëse, metodologjinë e zhvillimit të leksioneve dhe seminareve, emrat e pedagogëve ,titullarit të lëndës, masa e frekuentimit të detyruar dhe shlyerjes për mungesat në leksione, seminare apo laboratore, mënyra e vlerësimit me shkrim, me gojë apo e kombinuar për të gjitha lëndët si dhe në shumë disiplina nuk përputhet numri i leksioneve me temat e lëndëve/moduleve.
7. Përmbajtja e Programit të Ri të Studimit, M.Sc. në “Mjekësi”, përmbush pjesërisht standardet e cilësisë dhe për këtë arsye vendos kushtet e mëposhtme, pas plotësimit dhe verifikimit të të cilave jep vlerësim përfundimtar:
Kushtet:
· Të paraqiten bashkëpunime me Institucione të tjera dhe me spitale për kryerjen e praktikës profesionale.
· Të paraqiten 2 syllabuset e lëndëve me zgjedhje (“Metodat e kërkimit shkencor” dhe “Biofizikë mjekësore”).
· Të përputhet personeli akademik i paraqitur me këtë program studimi.
· Të mbulohen të gjithë lëndët me personelin akademik sipas kualifikimit përkatës.
· Të rishikohen syllabuset ku paraqitet si literaturë bazë “leksione të përgatitura nga pedagogu” dhe nuk paraqitet literaturë alternative.
· Të parashikohen kritere përzgjedhëse për studentët.
· Të plotësohet programi i studimit me personel akademik dhe për lëndët kryesore ata të jenë me kohë të plotë.
· Të plotësohen syllabuset me literaturë sa më bashkëkohore.
· Të plotësohen syllabuset me tema në kushtet aktuale.
8. Përmbajtja e Programit të Ri të Studimit, M.Sc. në “Farmaci”, përmbush pjesërisht standardet e cilësisë dhe për këtë arsye vendos kushtet e mëposhtme, pas plotësimit dhe verifikimit të të cilave jep vlerësim përfundimtar:
Kushtet:
· Të paraqiten bashkëpunime me Institucione të tjera.
· Të parashikohen kritere përzgjedhëse për studentët.
· Të bëhet një strukturim dhe radhitje e mirë e lëndëve.
· Të paraqiten të dhënat për emrin dhe kualifikimin e pedagogëve në 20 lëndë.
· Të parashikohet literatura bazë në 8 syllabuse, ku paraqitet si literaturë vetëm “leksione të përgatitur nga pedagogët”.
· Të azhurnohet dhe të plotësohet literatura e rekomanduar.
· Të rishikohet Rregullorja e programit të studimit.
· Të saktësohet emërtimi i programit studimit, misioni dhe objektivat e tij tek propozimi për hapjen e këtij PS.
· Të rivlerësohet shpërndarja e krediteve në favor të lëndëve të tillat si: “Fiziologjia”, Sëmundje interne, Farmaci klinike etj, si dhe të ristrukturohen lëndët benda grupit të lëndëve duke i dhënë prioritet lëndëve me karakter mjekësor-aplikativ.
· Të shtohet syllabusi i Kimisë Farmaceutike II.
· Të shikohet ekzistenca dhe/ose përfshirja në programe e argumenteve të Higjienës dhe Metodave instrumentale të analizës.
· Të saktësohet detyrimi i studentit për frekuentimin e lëndëve si dhe mënyra e vlerësimit të tij.
· Të parashikohen detyrimet penguese për lëndë që kanë lidhje kronologjike mes tyre.
Këshilli i Akreditimit, bazuar në kompetencën që i jep Ligji Nr 9741, datë 21.5.2007, Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, VKM Nr. 303, datë 1.7.1999, për Krijimin e Sistemit të Akreditimit në Arsimin e Lartë, i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës:
Programi i Studimit: Bachelor në Inxhinieri Elektrike të mos hapet
Programi i Studimit: Bachelor në Mekatronikë të mos hapet
Programi i Studimit: Bachelor në Administrim Publik të mos hapet
Programi i Studimit: Bachelor në Gjuhë dhe Letërsi Arabe të hapet
Programi i Studimit: Master i Shkencave në Stomatologji të mos hapet
Institucioni aplikues Shkolla e Lartë Private “Vitrina”, për programet e studimit: B.Sc. në “Inxhinieri Ndërtimi”, M.Sc. në “Mjekësi” dhe M.Sc. në “Farmaci” pasi të ketë plotësuar kushtet e mësipërme për programet e studimit, të njoftojë zyrtarisht Këshillin e
Akreditimit, i cili, pas verifikimit, do të rifillojë procedurën për miratimin e programet e mësipërme.
KËSHILLI i AKREDITIMIT
Bardhyl MUSAI Kryetar __________________________
Anila HODA Nën/Kryetar __________________________
Gëzim HADAJ Anëtar __________________________
Emil LAMANI Anëtar __________________________
Vladimir NIKA Anëtar __________________________
Shyqyri LLACI Anëtar __________________________
Edlira LATE Anëtar __________________________
Ilir BOZGO Anëtar __________________________
Qamil DIKA Anëtar __________________________
Z. Shyqyri Llaci nuk ishte i pranishëm në këtë mbledhje.