Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë

VENDIM Nr. 196 datë 24.06.2011 - Universiteti “Ismail Qemali”

KËSHILLI I AKREDITIMIT
VENDIM
Nr. 196 datë 24.06.2011


Për hapjen e Fakultetit të Shëndetit Publik, në Universitetin “Ismail Qemali”, Vlorë.
Për riorganizimin e Programeve të Studimit Diplomë e Nivelit të Parë në Bachelor të Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë.
1. INFERMIER I PËRGJITHSHËM
2. INFERMIERI MAMI
Për Programin e Studimit të Ciklit të Dytë që përfundon me Master i Shkencave (M.Sc.) në:
1. SHKENCA INFERMIERORE
Për Programet e Studimit të Ciklit të Dytë që përfundojnë me Master Profesional (MP) në:
1. INFERMER PATOLOG
2. INFERMIER KIRURG
3. INFERMIER PEDIATËR
Këshilli i Akreditimit, pasi shqyrtoi propozimin për hapjen e Fakultetit të Shëndetit Publik dhe Programeve të Reja të Studimit, Master i Shkencave dhe Master Profesional të kërkuara nga Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë si dhe pasi shqyrtoi propozimin për riorganizimin e Programeve të Studimit Diplomë e Nivelit të Parë në “Infermier i Përgjithshëm” dhe “Infermier Mami’, bazuar në raportin e vlerësimit teknik dhe në përmbajtje, raportimin e Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë për procedurën e vlerësimit dhe respektimin e kritereve, bazuar në standardet shtetërore të cilësisë, arrin në këtë përfundim se:
1. Përmbajtja e dosjes me dokumentacionin për hapjen e Fakultetit të Shëndetit Publik, përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Pozitiv.
2. Riorganizimi i Programit të Studimit Bachelor në “Infermieri i Përgjithshëm”, përmbush pjesërisht standardet e cilësisë dhe për këtë arsye vendos kushtet e mëposhtme, pas plotësimit dhe verifikimit të të cilave jep vlerësim përfundimtar:
Kushtet:
· Të realizohet një ndarje e mirë e krediteve në mënyrë që t’u jepet rëndësia e duhur lëndëve me objektivat specifike për programin e studimit.
· Të kryhet një ndarje e krediteve ECTS nga 60 për çdo vit akademik.
· Të paraqitet plani mësimor i detajuar në kredite, vite studimi, orë mësimore brenda dhe jashtë auditorit, orë mësimore në çdo vit dhe në javë mësimore.
· Të përputhen kushtet e rregullores mësimore me atë ç’ka paraqet secili pedagog në syllabus si dhe të përcaktohen modalitetet e konvertimit të krediteve sipas formave të mësimdhënies.
· Të rekomandohet literaturë bashkëkohore dhe e huaj si dhe të stimulohet studenti për punë të pavarur gjatë gjithë programit të studimit dhe jo vetëm në mbrojtjen e diplomës.
· Të përshtatet pedagogu me lëndët ku referohet si lektor.
· Të përshtatet emërtimi sipas legjislacionit në fuqi.
3. Riorganizimi i Programit të Studimit Bachelor në “Infermieri Mami”, përmbush pjesërisht standardet e cilësisë dhe për këtë arsye vendos kushtet e mëposhtme, pas plotësimit dhe verifikimit të të cilave jep vlerësim përfundimtar:
Kushtet:
· Të rivlerësohet shpërndarja e krediteve sipas viteve dhe sipas disiplinave, duke theksuar ato të fushës specifike.
· Të rivendoset raporti midis leksioneve dhe seminarëve.
· Të ndahet lënda shkencore nga Infermieristika e saj, në mënyrë që pasuria në marrjen e dijeve të jetë më e gjerë.
· Të ripërmblidhen tematika e syllabuseve, duke vënë theksin tek njohuritë bazë dhe jo tek stërhollimet e panevojshme.
· Të rishikohet niveli dhe specialiteti i lektorëve në përputhje me specifikën e lëndëve.
· Të pasqyrohet literatura mbështetëse vendase dhe e huaj, në mënyrë që të shkohet drejt unifikimit të njohurive bazë në të gjithë sistemin arsimor të lartë.
4. Përmbajtja e Programit të Ri të Studimit, M.Sc. në “Shkenca Infermierore”, nuk përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Negativ, me argumentet:
· Program i studimit nuk ofron njohuri të thelluara në shkencat infermierore.
· Ndarja e disiplinave sipas aktiviteteve formuese është bërë në mënyrë arbitrare pa pasur parasysh formimin e thelluar të studentëve në shkencat infermierore dhe në program nuk ka asnjë lëndë që i takon profesionit të infermierit.
· Ka lëndë të cilat nuk janë shumë të përshtashme për këtë PS; p.sh Gjenetikë Pullatash dhe Legjislacion.
· Nuk është parashikuar praktikë mësimore ose profesionale.
· Ndarja e lëndëve në leksione dhe seminare është bërë në nënyrë arbitrare dhe nuk është e përshtatshme për këtë program studimi.
· Shumica e syllabuseve nuk kanë literaturë ndihmëse dhe literatura e pasqyruar e krahasuar me ngarkesën mësimore në auditor dhe jashtë tij është e mangët dhe e pamjaftueshme.
· Ky program studimi nuk është i krahasueshëm me programe të ngjashme brënda dhe jashtë vëndit dhe në këtë mënyrë nuk të ofron mundësi për lëvizshmëri akademike.
5. Përmbajtja e Programit të Ri të Studimit, MP në “Infermier Patolog”, përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Pozitiv.
6. Përmbajtja e Programit të Ri të Studimit, MP në “Infermier Kirurg”, nuk përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Negativ, me argumentet:
· Emërtimi i programit nuk përputhet me emërtimin e duhur sipas Ligjit të Arsimit të Lartë “Master Profesional në (fushën ....)”.
· Objektivat e programit të studimit nuk paraqiten të qarta dhe të specifikuara.
· Ka mospërputhje të ECTS të deklaruara (60 kredite) dhe ECTS të paraqitura në planin mësimor (62 kredite).
· Plani mësimor nuk paraqitet i ndarë në semestra, sasia e orëve në auditor kalon vlerën maksimale prej 750 orëve, të kërkuara nga Udhëzimi i MASH dhe nuk paraqitet ndarja e orëve të kreditit në orë në auditor dhe jashtë auditorit për të gjitha disiplinat e paraqitura.
· Nuk deklarohet koordinatori i programit të studimit.
· Nuk është paraqitur një studim se sa nga studentët e Diplomuar Bachelor janë punësuar në Kirurgji, cila do të jetë hapësira e punësimit të këtyre studentëve në fushën Infermieristike.
· Paraqitet një ndarje peshe jo e barabartë midis lëndës “Legjislacion mjekësor” që është e formimit bazë dhe “Kirurgjinë e avancuar” që është një lëndë karakterizuese e programit.
· Në planin mësimor nuk ekzistojnë disiplinat B dhe C, disiplina të cilat i japin studentit formim bazë.
· Në syllabuset e lëndëve paraqiten këto mangësi: Nuk përcaktohet raporti leksione /seminare; Nuk parashikohen detyra kursi në të gjitha lëndët dhe në rastet e parashikuara nuk përcaktohet pesha që zë kjo e fundit në vlerësimin final të lëndës; Në literaturën e detyruar nuk jepet viti i botimit të tekstit të rekomanduar; Vlerësimi i praktikës profesionale parashikohet vetëm me një detyrë kursi dhe jo me provim praktik që kërkon prezantim të procedurave të ndryshme në mulazhe apo pacientë realë; Nuk paraqiten modalitetet e vlerësimit (pikët /nota); Nuk paraqitet ndarja në javë mësimore e programit të lëndës.
· Në rregulloren e programit të studimit paraqiten këto mangësi: Nuk parashikon kreditet dhe konvertimi i tyre në orë auditor dhe orë jashtë auditorit; Nuk parashikohen kushtet që duhet të plotësojë studenti që të konsiderohet kalues në një lëndë; Nuk parashikon shkeljet e integritetit akademik; Nuk parashikon se kur studenti çregjistrohet; Është shumë e përgjithshme pa specifikime në lidhje me mbrojtje e diplomës; Mbrojtja e diplomës parshikohet me provim formimi dhe jo me mbrojtje teme që është kusht minimal për diplomim Master.
7. Përmbajtja e Programit të Ri të Studimit, MP në “Infermier Pediatër”, përmbush pjesërisht standardet e cilësisë dhe për këtë arsye vendos kushtet e mëposhtme, pas plotësimit dhe verifikimit të të cilave jep vlerësim përfundimtar:
Kushtet:

  • Të përputhet emërtimi i programit me emërtimin e duhur sipas Ligjit të Arsimit të Lartë “Master Profesional në (fushën ....).
  • Të përputhet kreditet e deklaruara me kreditet e përllogaritura.
  • Të paraqitet plani mësimor i ndarë në semestra.
  • Të përputhet sasia e orëve, e cila kalon vlerën maksimale prej 750 orëve, të kërkuara nga Udhëzimi i Mash.
  • Të paraqiten të dhëna për koordinatorin e programit të studimit.

Këshilli i Akreditimit, bazuar në kompetencën që i jep Ligji Nr 9741, datë 21.5.2007, Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, VKM Nr. 303, datë 1.7.1999, për Krijimin e Sistemit të Akreditimit në Arsimin e Lartë, i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës:
Institucioni: Fakultetit i Shëndetit Publik, në Universitetin “Ismail Qemali”, Vlorë të hapet
Programi i Studimit: Master i Shkencave në Shkenca Infermierore të mos hapet
Programi i Studimit: Master Profesional në Infermier Patolog të hapet
Programi i Studimit: Master Profesional në Infermier Kirurg të mos hapet
Institucioni aplikues Fakulteti i Shëndetit Publik, Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë, pasi të ketë plotësuar kushtet e mësipërme për programet e studimit, të njoftojë zyrtarisht Këshillin e Akreditimit, i cili, pas verifikimit, do të rifillojë procedurën për miratimin e programit të studimit MP në “Infermier Pediatër” dhe riorganizimin e programeve të studimit Bsc në “Infermieri Mami”; Bsc në “Infermieri i Përgjithshëm”.
KËSHILLI i AKREDITIMIT
Bardhyl MUSAI Kryetar __________________________
Anila HODA Nën/Kryetar __________________________
Gëzim HADAJ Anëtar __________________________
Emil LAMANI Anëtar __________________________
Vladimir NIKA Anëtar __________________________
Shyqyri LLACI Anëtar __________________________
Edlira LATE Anëtar __________________________
Ilir BOZGO Anëtar __________________________
Qamil DIKA Anëtar __________________________
Z. Shyqyri Llaci nuk ishte i pranishëm në këtë mbledhje.