Për akreditimin Institucional të Fakultetit të Drejtësisë dhe Programit të Studimit që përfundon me Master i Nivelit të Dytë në “Drejtësi” me profile: E Drejtë Civile; E Drejtë Publike; E Drejtë Penale, të Shkollës së Lartë Private “ILLYRIA”.
Këshilli i Akreditimit, pasi shqyrtoi vlerësimin Institucional të Fakultetit të Drejtësisë dhe Programit të Studimit që përfundon me Master i Nivelit të Dytë në “Drejtësi” me profile: E Drejtë Civile; E Drejtë Publike; E Drejtë Penale, të Shkollës së Lartë Private “ILLYRIA”, të kryer në periudhën Nëntor 2011, mbështetur në raportin e vetëvlerësimit, raportin e vlerësimit të jashtëm, në raportimin e Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë, jep vlerësimin përfundimtar Pozitiv, pasi janë në përputhje me standardet, kërkesat ligjore institucionale dhe akademike në fuqi.
Këshilli i Akreditimit vëren se në përgjithësi Institucioni dhe programi i studimit, i kanë përmbushur objektivat e tyre formues, por ka edhe disa mangësi në realizimin tërësor dhe me cilësi të procesit të formimit të studentëve dhe pajisjes së tyre me dijet dhe shprehitë e nevojshme dhe për këtë qëllim
REKOMANDON:
Të përmirësohet raporti pedagog të brendshëm dhe pedagog të jashtëm në favor të të parëve.
Të synohet hapja e programeve të reja dhe konsolidimi i atyre ekzistuese.
Të synohet hapja e programeve të reja të përbashkëta me partnerë të huaj.
Të përfshihet në planin e zhvillimit zgjerimi dhe pasurimi i infrastrukturës.
Të përgatitet një plan veprimi për kualifikimin e personelit akademik në përdorimin e metodave me në qendër studentin si dhe për përdorimin e teknologjisë bashkëkohore mësimore.
Të pasurohet bibloteka për të përballuar shtimin e numrit të programeve dhe të studentëve.
Këshilli i Akreditimit, bazuar në kompetencën që i jep Ligji Nr 9741, datë 21.5.2007, Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, Vendim Nr.424, datë 02.6.2010 “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë” dhe Vendim Nr.368, datë 14.4.2011 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Vendimin Nr. 424, Datë 2.6.2010, të Këshillit të Ministrave “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë”, të ndryshuar”, i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës:
Institucioni: Fakulteti i Drejtësisë, Shkolla e Lartë Private “ILLYRIA”
të akreditohet.
Programi i Studimit: Master i Nivelit të Dytë në “Drejtësi” me profile: E Drejtë Civile; E Drejtë Publike; E Drejtë Penale
të akreditohet.
Z. Vladimir Nika nuk ishte i pranishëm në këtë mbledhje.