VENDIM
I
KËSHILLIT TË AKREDITIMIT
Nr. 367, datë 17.09.2012
Për Programet e Studimit të Ciklit të Dytë që përfundojnë me Master i Shkencave (M.Sc.) në:
1. PSIKOLOGJI ZHVILLIMI DHE SHKOLLORE
2. KËSHILLIM PSIKOLOGJIK
Për Programet e Studimit të Ciklit të Dytë që përfundojnë me Master Profesional (MP) në:
1. PSIKOLOGJI SHKOLLORE
2. PSIKOLOGJI E BURIMEVE NJERËZORE
Këshilli i Akreditimit, pasi shqyrtoi propozimet për hapjen e Programeve të reja të studimit Master i Shkencave dhe Master Profesional, të kërkuara nga “Albanian University”, Tiranë, bazuar në raportet e vlerësimit teknik dhe në përmbajtje, raportimin e Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë për procedurën e vlerësimit dhe respektimin e kritereve si edhe bazuar në standardet shtetërore të cilësisë, arrin në këtë përfundim:
1. Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Master i Shkencave në “Psikologji zhvillimi dhe shkollore”, përmbush pjesërisht standardet e cilësisë dhe për këtë arsye vendos kushtet e mëposhtme, pas plotësimit dhe verifikimit të të cilave jep vlerësim përfundimtar:
Kushtet:
- Të paraqitet argumentimi i përputhjes së misionit të programit me misionin dhe strategjinë e zhvillimit të institucionit.
- Të paraqitet argumentimi për nevojën që ka tregu i punës për programin e studimit.
- Të paraqiten në mënyrë të detajuar kompetencat që parashikohen të zhvillohen nëpërmjet këtij programi.
- Të plotësohen mungesat në programet mësimore të lëndëve si: Lënda “Dinamikat e zhvillimit konjitiv të fëmijëve dhe adoleshentëve” me rezultatet e të nxënit, format dhe metodat e mësimdhënies, vlerësimi, literatura; Lënda “Neuropsikologjia e moshës shkollore”, “Antropologji social kulturore”, “Psikologjia sociale e mjediseve shkollore” me rezultatet e të nxënit.
- Të përmirësohen programet mësimore vetëm me një sistem i konvertimit të pikëve në nota i cili të jetë i unifikuar me të gjitha lëndët e programit, p.sh në lëndët si “Çrregullimet e të nxënit dhe vështirësitë e integrimit”, “Strategjitë e ndërhyrjes psikologjike dhe pedagogjike në kontekstin shkollor dhe komunitar”, etj.
- Të plotësohen me literaturë në gjuhën shqipe programet e lëndëve: “Dinamikat e zhvillimit social-emocional të fëmijëve dhe adoleshentëve”; “Metodat e vlerësimit dhe ndërhyrjet në çrregullimet e të nxënit dhe vështirësitë e integrimit” dhe “Psikologjia e sjelljeve devijante te fëmijet dhe adoleshentët”.
- Të ndahet në literaturë të detyrueshme dhe ndihmëse literatura e programeve të lëndëve: “Dinamikat e zhvillimit social-emocional të fëmijëve dhe adoleshentëve”; “Neuropsikologjia e moshës shkollore”; “Komunikimi klinik me fëmijët dhe adoleshëntët”; “Komunikimi klinik me fëmijët dhe adoleshentët”.
- Të plotësohet lista e kritereve të pranimit dhe të përfshijë listën e diplomave bachelor të pranueshme për studimet në këtë progam si dhe mënyrën e plotësimit të debiteve për zotëruesit e diplomave nga fusha të përafrëta me psikologjinë. Të përcaktojë kritere specifike.
- Të paraqiten CV-të e pedagogëve dhe statusin e tyre të punës në Albanian University.
2. Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Master i Shkencave në “Këshillim psikologjik”, përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Pozitiv, me sugjerimet e mëposhtme:
- Të parashikohen në listën e pranimit të studenëtve në këtë program studimi jo vetëm studentët që kanë mbaruar Bachelor në Psikologji por edhe të degëve të përafërta të Shkencave Sociale.
- Të paraqiten CV-të e pedagogëve dhe statusin e tyre të punës në Albanian University.
3. Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Master Profesional në “Psikologji Shkollore”, përmbush pjesërisht standardet e cilësisë dhe për këtë arsye vendos kushtet e mëposhtme, pas plotësimit dhe verifikimit të të cilave jep vlerësim përfundimtar:
Kushtet:
- Të paraqitet argumentimi i përputhjes së misionit të programit me misionin dhe strategjinë e zhvillimit të institucionit.
- Të paraqitet argumentimi për nevojën që ka tregu i punës për programin e studimit.
- Të rishikohet plani mësimor duke e parashikuar ngarkesën me 90 kredite, duke pakësuar numrin e provimeve deri në 10, duke forcuar komponentin e praktikës dhe të kërkimit dhe duke reduktuar numrin e lëndëve të përbashkëta me programin Master i Shkencave në “Psikologji zhvillimi dhe shkollore”.
- Të plotësohen me elementin rezultatet e të nxënit programet mësimore të lëndëve si: “Vlerësim nevojash dhe modelim trajnimi për sistemet e mbështetjes në shkollë”, “Antropologji social kulturore”, “Psikologji sociale e avancuar”, “Psikologjia sociale e mjediseve shkollore”.
- Të përmirësohen programet mësimore vetëm me një sistem i konvertimit të pikëve në nota i cili të jetë i unifikuar me të gjitha lëndët e programit, p.sh në lëndët si: “Hyrje në psikologjinë shkollore”, “Dimensioni sjellor dhe teknika të menaxhimit të sjelljes”, “Vlerësimi dhe këshillimi i fëmijëve dhe adoleshentëve”, Etika profesionale në psikologjinë shkollore”, “Antropologji social kulturore”.
- Të përmirësohen programet mësimore të lëndëve për komponentin e literaturës si lënda “Dimensioni social-emocional të strategjitë për integrim dhe përshtatje”.
- Të ndahet në literaturë të detyrueshme dhe ndihmëse literatura e programeve të lëndëve: “Hyrje në psikologji shkollore”, “Dimensioni sjellor dhe teknika të menaxhimit të sjelljes”, “Komunikimi klinik me fëmijët dhe adoleshentët”.
- Të plotësohen kritere specifike të cilësisë.
- Të paraqiten CV-të e pedagogëve dhe statusin e tyre të punës në Albanian University.
4. Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Master Profesional në “Psikologji e burimeve njerëzore”, nuk përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Negativ, me argumentet e mëposhtme:
- Të gjitha lëndët mbulohen me pedagogë pa tituj dhe grada shkencore “Doktor”.
- Koordinatori i programit nuk ka titull shkencor apo gradë shkencore “Doktor” të fituar në perëndim.
- Personeli i brendshëm akademik i parashikuar për të dhënë mësim në këtë program kryesisht nuk ka titull shkencor apo gradë shkencore “Doktor” të fituar në perëndim.
- Ndërkohë që personeli akademik i parashikuar me kohë të pjesshme nuk ka as kontrata për mësimdhënie dhe as të dhëna të tjera dokumentare, që nuk garantojnë mësimdhënien e tyre.
- Asnjë nga CV-të e paraqitura të stafit akademik nuk është parashikuar në planin mësimor të japë mësim në këtë program studimi.
- Plani mësimor është i plotë por jo i qartë me paraqitjen e semestrave dhe moduleve. Janë paraqitur dy plane mësimore me konflikte të kësaj natyre në katër lëndë: Çështje në psikologjinë e punës (ndryshojnë kreditet dhe semestri), Sjellje konsumatore (ndryshojnë kreditet dhe semestri), Aftësi drejtuese (ndryshojnë kreditit), Analizë dhe përshkrim pune (ndryshojnë kreditet dhe semestri)
- Literatura që shoqëron çdo syllabus kryesisht është në gjuhë të huaj dhe në shumicën e rasteve mungon ajo në shqip.
Këshilli i Akreditimit, bazuar në kompetencën që i jep Ligji Nr 9741, datë 21.5.2007, Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, Vendim Nr.424, datë 02.6.2010 “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë” dhe Vendim Nr.368, datë 14.4.2011 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Vendimin Nr. 424, Datë 2.6.2010, të Këshillit të Ministrave “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë”, të ndryshuar”, i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës:
Programi i Studimit: Master i Shkencave në Këshillim Psikologjik
të hapet
Programi i Studimit: Master Profesional në Psikologji e burimeve njerëzore
të mos hapet
Institucioni aplikues “Albanian University”, për programet e studimit: Master i Shkencave në “Psikologji zhvillimi dhe shkollore” dhe Master Profesional në “Psikologji Shkollore”, pasi të ketë plotësuar kushtet e mësipërme për secilin program studimi, të njoftojë zyrtarisht Këshillin e Akreditimit, i cili, pas verifikimit, do të rifillojë procedurën për vlerësimin e programeve të mësipërme.
DREJTORI
AVNI MESHI