VENDIM
I
KËSHILLIT TË AKREDITIMIT
Nr. 372, datë 17.09.2012
Për Programet e Studimit të Ciklit të Parë që përfundojnë me Bachelor (B.Sc) në:
1. FINANCË BANKË
2. ADMINISTRIM BIZNESI
3. HIGJENIST DENTAR
4. INFERMIERI
Për Programet e Integruara të Studimit të Ciklit të Dytë që përfundojnë me Master i Shkencave (M.Sc.) në:
1. STOMATOLOGJI DHE PROTEZA DENTARE
2. MJEKËSI DHE KIRURGJI
Këshilli i Akreditimit, pasi shqyrtoi propozimin për hapjen e Programeve të reja të studimit Bachelor dhe Master i Shkencave, të kërkuara nga Shkolla e Lartë Private “Kampusi Universitar Mesdhetar”, Tiranë, bazuar në raportet e vlerësimit teknik dhe në përmbajtje, raportimin e Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë për procedurën e vlerësimit dhe respektimin e kritereve si edhe bazuar në standardet shtetërore të cilësisë, arrin në këtë përfundim:
1. Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Bachelor në “Financë Bankë”, nuk përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Negativ, me argumentet e mëposhtme:
- Nuk është paraqitur asnjë marrëveshje bashkëpunimi me institucionin e deklaruar, Universitetin e Foggias.
- Nuk ka të dhëna për strukturën e Fakultetit dhe as të departamenteve etj, duke lënë të paqartë mënyrën e mbulimit të ngarkesës mësimore nga pedagogët e Universitetit të Foggias.
- Për emërtimin e diplomës Bsc në Financë – Bankë duhet të kishte më shumë profilizim të lëndëve. Kështu psh, mund të kishte më pak lëndë marketingu dhe më shumë lëndë të specialitetit të financës e të bankës (Ekonomia monetare apo Paraja dhe banka, Teknika bankare, etj.).
- Duhet të ishte përfshirë mësimi i gjuhës angleze në planin mësimor bashkë me kreditet përkatës.
- Nuk ka asnjë CV pedagogësh dhe as të drejtuesve të fakultetit departamentit etj.
- Mungojnë të dhëna për bibliotekën apo për infrastukturën.
- Nuk ka të dhëna nëse aplikuesi garanton ose jo (vetëm /ose në bashkëpunim me institucione të tjerë) mjedise të mjaftueshëm për zhvillimin e praktikave profesionale.
- Mungojnë të dhëna për personelin ndihmës mësimor shkencor dhe administrativ, për instruktimin, udhëheqjen dhe mbikëqyrjen e studentëve në praktikën profesionale.
2. Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Bachelor në “Administrim Biznesi”, përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Pozitiv, me sugjerimet e mëposhtme:
- Të plotësohet programi i studimit me lëndë bazë të tilla si Menaxhim Operacionesh etj.
- Të bëhet një ndarje e qartë në disiplinat A, B, C, E dhe të rregullohet disiplina D, pasi e tejkalon numrin e duhur të krediteve.
- Të rregullohen të gjitha syllabuset e lëndëve me elementët si: detyrimet e studentëve për lëndën; format dhe pikët e provimit përfundimtar me shkrim, pikët nga seminari dhe literatura të jetë e paraqitur me vitin e botimit dhe autori.
- Të paraqiten CVtë e plota të titullarëve të lëndëve dhe personelit akademik të angazhuar në mësimdhënie.
- Të jepet më shumë informacion mbi personelin ndihmës mësimor shkencor dhe administrativ të nevojshëm dhe të përshtatshëm për të ofruar në mënyrë cilësore realizimin e orëve laboratorike dhe për mirëmbajtjen e laboratorëve e mjediseve shkollore.
3. Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Bachelor në “Higjenist Dentar”, nuk përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Negativ, me argumentet e mëposhtme:
- Tregu shqiptar nuk ka absolutisht nevojë për Higjenistë dentare.
- Mungon përcaktimi i petagogëve titullarë dhe petagogëve të tjerë për çdo lëndë
- Mungojnë CV-të e pedagogëve dhe çertifikimi i tyre (dokumenti zyrtar i pozicionit të tyre) nga Universiteti i Foggia-s.
- Nuk ka të dhëna për infrastrukturën dhe ambjentet e realizimit të procesit mësimor dhe të praktikave mësimore.
4. Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Bachelor në “Infermieri”, nuk përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Negativ, me argumentet e mëposhtme:
- Institucioni nuk paraqet një studim real të tregut në përputhje me synimet strategjike të zhvillimit ekonomik kombëtar.
- Strukturimi i lëndëve/ moduleve është pjesërisht i përshtatshëm me objektivat formuese dhe emërtimin e diplomës. PS parashikon 35 provime në vit ndërsa norma e lejuar është deri 22 provime në vit.
- Plani mësimor nuk është dhënë i plotë me lëndët/ modulet dhe ngarkesën e tyre. Ky plan mësimor duhet modifikuar për këtë PS.
- Ngarkesat mësimore në auditor kalojnë normat e lejuara (max 750) duke filluar nga 762- 820 orë sipas viteve respektive (viti I- viti III). Ngarkesat mësimore janë pjesërisht të përshtatshme për këtë PS.
- Disiplinat në aktivitete formuese në auditor nuk janë të ndara drejt dhe në mënyrë të përshtatshme. Kështu disiplina të formimit të përgjithshëm (A) ka 19 kredite kurse norma e lejuar është 36 kredite, disiplina karakterizuese (B) ka 65 kredite ndërsa norma e lejuar është 90 kredite, njohuri të tjera formuese (E) ka 57 kredite ndërsa norma e lejuar është rreth 18 kredite (mbështetur në Udhëzimin 15 MASH/2008, fq 14, shtojca 1, pika 3).
- Mos paraqitja e CV-ve të pedagogëve nuk lejon dhënien e vlerësimit të formimit profesional të tyre për lëndët përkatëse dhe as vlerësim për përputhjen e fushës akademike të përgjithshme dhe të veçantë të pedagogëve si dhe për përvojën e tyre kërkimore të lëndëve.
- Nuk paraqiten të dhëna në dosje për personelin ndihmës mësimor dhe administrative.
- Nuk ka të dhëna në dosje për personel për instruktimin dhe mbikqyrjen e studentëve në praktikën profesionale.
5. Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Master i Shkencave në “Stomatologji dhe proteza dentare”, nuk përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Negativ, me argumentet e mëposhtme:
- Gjuha e studimit do të jetë në Shqip dhe Anglisht ndërkohë që paraqitet vetëm lista me emrat e 42 pedagogeve të Universitetit të Foggias të cilët nuk kanë njohuri të gjuhës shqipe.
- Nuk ka asnjë marrëveshje bashkëpunimi për zhvillimin e praktikave me asnjë nga Qendrat Spitalore Universitare (Drejtoria Rajonale Spitalore e Elbasanit nuk ka status universitar dhe nuk ka asnjë klinikë stomatologjike në varësi aq më pak universitare).
- Nuk është paraqitur një listë e plotë për atë personel akademik që do të jetë i angazhuar specifikisht për këtë program studimi.
- Nuk janë paraqitur CV e personelit akademik që do të angazhohen në këtë program.
- Nuk ka informacion të mjaftueshëm për ambjentet ku do të zhvillohet mësimdhënia si dhe laboratorët e nevojshëm për zhvillimin e lëndëve paraklinike.
6. Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Master i Shkencave në “Mjekësi dhe Kirurgji”, nuk përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Negativ, me argumentet e mëposhtme:
- Gjuha e studimit do të jetë në Shqip dhe Anglisht ndërkohë që paraqitet vetëm lista me emrat e 42 pedagogeve të Universitetit të Foggias të cilët nuk kanë njohuri të gjuhës shqipe.
- Nuk ka asnjë marrëveshje bashkëpunimi për zhvillimin e praktikave me asnjë nga Qendrat Spitalore Universitare (Drejtoria Rajonale Spitalore e Elbasanit nuk ka status universitar).
- Nuk është paraqitur një listë e plotë për atë personel akademik që do të jetë i angazhuar specifikisht për këtë program studimi.
- Nuk janë paraqitur CV e personelit akademik që do të angazhohen në këtë program.
- Nuk ka informacion të mjaftueshëm për ambjentet ku do të zhvillohet mësimdhënia si dhe laboratorët e nevojshëm për zhvillimin e lëndëve paraklinike.
Këshilli i Akreditimit, bazuar në kompetencën që i jep Ligji Nr 9741, datë 21.5.2007, Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, Vendim Nr.424, datë 02.6.2010 “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë” dhe Vendim Nr.368, datë 14.4.2011 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Vendimin Nr. 424, Datë 2.6.2010, të Këshillit të Ministrave “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë”, të ndryshuar”, i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës:
Programi i Studimit: Bachelor në Financë Bankë
të mos hapet
Programi i Studimit: Bachelor në Administrim Biznesi
të hapet
Programi i Studimit: Bachelor në Higjenist Dentar
të mos hapet
Programi i Studimit: Bachelor në Infermieri
të mos hapet
Programi i Studimit: Master i Shkencave në Stomatologji dhe proteza dentare
të mos hapet
Programi i Studimit: Master i Shkencave në Mjekësi dhe Kirurgji
të mos hapet
DREJTORI
AVNI MESHI