Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë

VENDIM Nr. 376, datë 17.09.2012, Universiteti “Luigj Gurakuqi”, Shkodër

VENDIM
I
KËSHILLIT TË AKREDITIMIT
Nr. 376, datë 17.09.2012


Për Programet e Studimit të Ciklit të Dytë që përfundojnë me Master Profesional (MP) në:
1.    TRASHËGIMI KULTURORE DHE MENAXHIM TURIZMI
2.    ADMINISTRIM BIZNESI
3.    FINANCË BANKË
4.    PSIKOLOGJI SHËNDETI

Këshilli i Akreditimit, pasi shqyrtoi propozimet për hapjen e Programeve të reja të studimit Master Profesional, të kërkuara nga Universiteti “Luigj Gurakuqi”, Shkodër, bazuar në raportet e vlerësimit teknik dhe në përmbajtje, raportimin e Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë për procedurën e vlerësimit dhe respektimin e kritereve si edhe bazuar në standardet shtetërore të cilësisë, arrin në këtë përfundim:

1.    Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Master Profesional në “Trashëgimi kulturore dhe menaxhim turizmi”, përmbush pjesërisht standardet e cilësisë dhe për këtë arsye vendos kushtet e mëposhtme, pas plotësimit dhe verifikimit të të cilave jep vlerësim përfundimtar:
Kushtet:
  • Të paraqitet misioni dhe objektivat në përputhje me rafshe të ndryshme, makroekonomike, mikroekonomike dhe manaxheriale të programit të studimit.
  • Të përmirësohet përmbajtja e syllabuseve si: “Organizimi ndërkombëtar në fushën e ofertës kulturore”; të përmirësohet literatura në syllabusin e lëndës “Udhëtimi dhe menaxhimi i medias në strategjinë marketing”; të rregullohet mospërputhja e titullit të lëndës me përmbajtjen e saj, p.sh lënda “ekonomiksi i turizmit dhe strategjia e menaxhimit të turizmit”.
  • Të rregullohen bashkimet e lëndëve në module, pasi rezultojnë bashkime sintetike, të cilat nuk plotësojnë njëra tjetrën.
  • Të adaptohet programi i lëndës “Parimet e marketingut dhe menaxhimi i sjelljes konsumatore” me këtë program studimi.
  • Të paraqiten të gjitha Cv -të e personelit akademik, sidomos për stafin shqiptar të brendshëm.
  • Të shtohet lista e personelit akademik me staf nga fusha e turizmit dhe me gradë/tituj shkencor Doktor e lart.
  • Të plotësohet literatura edhe me literatrurë vendase, në lëndët që kjo literaturë ekziston.
  • Të rishikohet raporti midis ngarkesës teorike dhe praktike për ti dhënë më shumë sens praktik.
  • Të rishikohet organizimi i këtij programi studimi (Master Profesional duhet të organizohen në 1.5 vite me 3 semestra ndërkohë që ky PS është parashikuar në 2 vite me 4 semestra).
2.    Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Master Profesional në “Administrim Biznesi”, përmbush pjesërisht standardet e cilësisë dhe për këtë arsye vendos kushtet e mëposhtme, pas plotësimit dhe verifikimit të të cilave jep vlerësim përfundimtar:
Kushtet:
  • Të përshtatet kohëzgjatja e programit në përputhje me kriteret dhe parimet e Ciklit II të studimit të përcaktuara në ligjin nr.9741/2007 “Për arsimin e lartë...” dhe udhëzimet përkatëse në funksion të tij.
  • Të paraqiten marrëveshjet e bashkëpunimit me institucione/biznese të tilla si me Departamentin e Ekonomiks-it në Sandhills College, USA, apo ato me biznese publike dhe private në Shkodër.
  • Të plotësohet kriteri për ngarkesën mësimore në auditor nga 600-750 orë mësimore; si dhe të paraqitet ngarkesa në orë jashtë auditorit.
  • Të rregullohen pasaktësitë në përcaktimin e orëve të praktikës mësimore.
  • Të plotësohen syllabuset e lëndëve edhe me literaturë në gjuhën shqipe, si p.sh në lëndët: Ekonomiks Menaxherial, Ekonomiks Ndërkombëtar, Drejtim Marketing, Menaxhim Strategjik, Menaxhim Operacionesh, Drejtim Cilësie, Menaxhimi i SME-ve dhe sipërmarrjeve të reja dhe Menaxhim Financiar; apo në lëndë të veçanta të tilla si Kontabilitet Drejtimi, etj, literatura është pa vit botimi.
  • Të bëhet një ndarje më e qartë e literaturës në bazë e ndihmëse, psh. në lëndët Identifikimi dhe zhvillimi i aftësive sipërmarrëse, Menaxhimi i burimeve njerëzore, etj.
  • Të gjenden mënyrat që lëndët/modulet: Drejtim Cilësie, Ekonomiks Ndërkombëtar, Identifikimi dhe zhvillimi i aftësive sipërmarrëse, Menaxhimi i SME-ve dhe sipërmarrjeve të reja, ku pedagogët titullarë janë me MSc, të mbulohen me pedagogë të cilët përgjithësisht kanë të gjithë gradat e titujt e nevojshëm shkencorë.
  • Të paraqiten të dhëna, ku Universiteti të deklarojë se sa nga këta pedagogë janë të brendshëm (personel akademik efektiv).
  • IAL duhet të shprehet mbi garantueshmërinë e mjediseve të mjaftueshme për zhvillimin e praktikave profesionale, nga vetë ajo apo në bashkëpunim me institucione të tjera, si dhe të paraqesë të dhëna ku do të zhvillohet praktika e studentëve e të jepen marrëveshjet e bashkëpunimit me aktorët e parashikuar.

3.    Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Master Profesional në “Financë Bankë”, përmbush pjesërisht standardet e cilësisë dhe për këtë arsye vendos kushtet e mëposhtme, pas plotësimit dhe verifikimit të të cilave jep vlerësim përfundimtar:
Kushtet:
  • Të paraqiten marrëveshjet e përmendura në projekt propozimin e këtij programi studimi.
  • Të rregullohen dhe të saktësohen syllabuset e lëndëve/moduleve duke përputhur të dhënat midis emërtimit të disa lëndëve të programeve me ato të planit mësimor si: “Tregu financiar Ndërkombëtar” apo “Tregjet Ndërkombëtare të Kapitalit”!“Menaxhimi bankar i avancuar” apo “Menaxhim bankar”!“Teoria Moderne e portofolit” apo “Teoria e portofolit”!.
  • Të saktësohen emërtimet e lëndëve dhe të ketë koherence në të gjithë aplikimin e paraqitur (plan mësimor/ tabela lëndësh/ syllabus).
  • Të rikonceptohet mënyra e vlerësimit të studentëve në ndonjë (psh “Marketingu bankar”) ku vlerësimi bëhet vetëm mbi bazë e tri detyrave.
  • Të plotësohet programi i lëndës “Menaxhim strategjik” me metodat e vlerësimit të studentëve dhe me pikët përkatëse të çdo elementi përbërës.
  • Të saktësohet lista e diplomave Bachelor që lejohen të regjistrohen në këtë program studimi, pasi  DNP në Financë Kontabilitet është e përshtatshme për t’u pranuar pa plotësim të njohurive formuese para hyrjes në program, kurse dy diplomat e tjera duhet të pranohen me kushtin “me plotësim njohurish” meqenëse kanë ndryshime të dukshme me studentët që kanë përfunduar Financë Kontabilitet.
  • IAL duhet të shprehet mbi garantueshmërinë e mjediseve të mjaftueshme për zhvillimin e praktikave profesionale, nga vetë ajo apo në bashkëpunim me institucione të tjera, si dhe të paraqesë të dhëna ku do të zhvillohet praktika e studentëve e të jepen marrëveshjet e bashkëpunimit me aktorët e parashikuar.

4.    Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Master Profesional në “Psikologji Shëndeti”, përmbush pjesërisht standardet e cilësisë dhe për këtë arsye vendos kushtet e mëposhtme, pas plotësimit dhe verifikimit të të cilave jep vlerësim përfundimtar:
Kushtet:
  • Të realizohet të paktën një bashkëpunim me një nga Fakultetet e Shkencave Sociale (Departamenti i Psikologjise) të Universiteteve të vendit.
  • Lëndët të kenë literaturë në gjuhën shqipe dhe jo vetëm literaturë në gjuhën angleze siç jane paraqitur në syllabuset e lëndëve a) Infermieristika parandaluese, sociale dhe familjare, b) Shëndet komunitar dhe c) Promovim shëndeti.
  • Të paraqiten të dhëna për personelin akademik me kohë të plotë dhe me kohë të pjesshme.

Këshilli i Akreditimit, bazuar në kompetencën që i jep Ligji Nr 9741, datë 21.5.2007, Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, Vendim Nr.424, datë 02.6.2010 “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë” dhe Vendim Nr.368, datë 14.4.2011 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Vendimin Nr. 424, Datë 2.6.2010, të Këshillit të Ministrave “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë”, të ndryshuar”, i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës:


Institucioni aplikues Universiteti “Luigj Gurakuqi”, Shkodër, për programet e studimit Master Profesional në “Trashëgimi kulturore dhe menaxhim turizmi”; Master Profesional në “Administrim Biznesi”; Master Profesional në “Financë Bankë” dhe Master Profesional në “Psikologji Shëndeti”, pasi të ketë plotësuar kushtet e mësipërme për këto programe studimi, të njoftojë zyrtarisht Këshillin e Akreditimit, i cili, pas verifikimit, do të rifillojë procedurën për vlerësimin e programeve të mësipërme.

DREJTORI
AVNI MESHI