Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë

VENDIM Nr. 394, datë 26.10.2012, Akademia Profesionale e Biznesit

KËSHILLI I AKREDITIMIT
VENDIM
Nr. 394, datë 26.10.2012


Për akreditimin e Institucional dhe të Programeve të Studimit që përfundojnë me Bachelor në “E Drejtë Biznesi”; Master i Shkencave në E Drejtë Civile dhe Tregtare” dhe Master i Shkencave në “E Drejtë Penale”, të “Akademia Profesionale e Biznesit”.

Këshilli i Akreditimit, pasi shqyrtoi vlerësimin Institucional dhe të Programeve të Studimit që përfundojnë me Bachelor në “E Drejtë Biznesi”; Master i Shkencave në E Drejtë Civile dhe Tregtare” dhe Master i Shkencave në “E Drejtë Penale”, të “Akademia Profesionale e Biznesit”, të mbështetur në raportin e vetëvlerësimit, raportin e vlerësimit të jashtëm, në raportimin e Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë, jep vlerësimin përfundimtar Pozitiv, pasi janë në përputhje me standardet, kërkesat ligjore institucionale dhe akademike në fuqi.

Këshilli i Akreditimit vëren se në përgjithësi Institucioni dhe programet e studimit, i përmbushin objektivat formues, por kanë edhe disa mangësi në realizimin tërësor dhe me cilësi të procesit të formimit të studentëve dhe pajisjes së tyre me dijet dhe shprehitë e nevojshme dhe për këtë qëllim

REKOMANDON:
Për Institucionin “Akademia Profesionale e Biznesit”.
1. Të përmirësohet oferta e kurseve të studimit dhe specializimeve.
2. Të përmirësohet oferta didaktike duke mos u limituar vetëm në 2 cikle studimi.
3. Të aplikojnë sa më shpejtë për programe studimi të ciklit të tretë.
4. Të realizohet sa më shumë ndërkombëtarizimi nëpërmjet mësuesve dhe lëvizshmërisë së studentëve.

Për programin e studimit Bachelor në “E Drejtë Biznesi”.
1. Institucioni duhet të fokusohet në të ardhmen në rekrutimin e stafit akademik të kualifikuar me kohë të plotë.
2. IAL duhet të rrisë bashkëpunimet në nivel ndërkombëtar ku studentë të shkojnë jashtë dhe anasjelltas, studentë të huaj të kryjnë praktika, module në këtë institucion. Ky lloj mobiliteti është i nevojshëm të kryhet edhe për stafet akademike.
3. Të rritet niveli i kërkimit shkencor.

Për programin e studimit Master i Shkencave në “E Drejtë Civile dhe Tregtare”.
1. Institucioni të bëjë përpjekje për të gjeneruar sa më shpejtë një bilanc financiar pozitiv.
2. Të merren masa për të rritur numrin e studentëve që ndjekin këtë program studimi, një pjesë thelbësore për mbarëvajtjen e institucionit.
3. Të bëhet përpjekje që studentët të kenë sa më shumë akses në bibliotekat on-line.
4. Të sigurohet që studentët e këtij programi studimi të japin në përfundim dhe provimin e gjuhës angleze, mbi bazën e testeve të njohura ndërkombëtare.

Për programin e studimit Master i Shkencave në “E Drejtë Penale”.
1. Të pasurohet fondi i biblotekës me periodikë të ndryshëm në fushën e drejtësisë.
2. Të ristrukturohet Plani mësimor, ku të përcaktohet jo vetëm ngarkesa e studentit në auditor (leksione+seminare) por edhe ajo jashtë auditorit.
3. Të realizohen nga personeli akademik Konferenca Shkencore të cilat duhet të përfshijnë edhe Institucione të tjera profesionale dhe akademike në fushën penale.
4. Të realizohet një auditim i programuar dhe i plotë nga ana e Institucionit.
5. Të formatohen të gjithë syllabuset e këtij programi studimi, sipas një strukture të caktuar, e cila duhet të përmbajë të gjithë zërat e nevojshëm që ka një syllabus.
6. Të sigurohet që studentët e këtij programi studimi të japin në përfundim dhe provimin e gjuhës angleze, mbi bazën e testeve të njohura ndërkombëtare.

Këshilli i Akreditimit, bazuar në kompetencën që i jep Ligji Nr 9741, datë 21.5.2007, Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, Vendim Nr.424, datë 02.6.2010 “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë” dhe Vendim Nr.368, datë 14.4.2011 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Vendimin Nr. 424, Datë 2.6.2010, të Këshillit të Ministrave “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë”, të ndryshuar”, i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës:

Akreditimin Institucional të “Akademia Profesionale e Biznesit”.

Programi i Studimit: Bachelor në “E Drejtë Biznesi”
të akreditohet.

Programi i Studimit: Master i Shkencave në “E Drejtë Civile dhe Tregtare”
të akreditohet.

Programi i Studimit: Master i Shkencave në “E Drejtë Penale”
të akreditohet.


BARDHYL MUSAI
KRYETAR I KËSHILLIT TË AKREDITIMIT