Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë

VENDIM Nr. 396, datë 26.10.2012, American Albanian University, Tiranë

KËSHILLI I AKREDITIMIT
VENDIM
Nr. 396, datë 26.10.2012


Për Programet e Studimit të Ciklit të Parë që përfundojnë me Bachelor (B.Sc.) në:
1. ADMINISTRIM BIZNESI
2. EKONOMIKS
Këshilli i Akreditimit, pasi rishqyrtoi propozimin për plotësimin e kushteve të lëna në VKA Nr. 344 datë 13.07.2012, të Programeve të reja të studimit “Bachelor në Administrim Biznesi” dhe “Bachelor në Ekonomiks”, të kërkuar nga “American Albanian University”, Tiranë, bazuar në raportin e vlerësimit në përmbajtje, raportimin e Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë për procedurën e vlerësimit dhe respektimin e kritereve si edhe bazuar në standardet shtetërore të cilësisë, arrin në këtë përfundim:

1. Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Bachelor në “Administrim Biznesi”, përmbush pjesërisht standardet e cilësisë dhe për këtë arsye vendos kushtet e mëposhtme, pas plotësimit dhe verifikimit të të cilave jep vlerësim përfundimtar:
Kushtet:
  • Të paraqiten marrëveshje të nënshkruara e të formalizuara bashkëpunimi me universitetet e huaja në mënyrë që organizimi i studimeve të IAL American Albanian University t’i nënshtrohet nenit 45 (pika 1, b dhe 2) të ligjit nr.9741, datë 21.05.2007 ‘Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë’. Gjithashtu, tek shtojca 2 ‘Kurrikula – Departamentet – Koncentrimet’ e AAU, kreditet duhet të shprehen edhe në ECTS për të mundësuar njohjen e studimeve dhe transferimet e studentëve.
  • Të jepet më shumë informacion për raportin: pedagogë të brendshëm - pedagogë të jashtëm, dhe të ruhet raporti i pranueshëm i pedagogëve me titujt e gradat e duhura shkencore; si dhe ka pedagogë që janë titullarë në shumë lëndë (disa në 10-15 lëndë), madje njëkohësisht në lëndë ekonomiksi, finance, kontabiliteti, matematike, statistike, etj.
  • Duhej ndarje më e qartë në literaturë bazë e ndihmëse tek syllabuset, si dhe në disa raste mungon viti për literaturën.
  • Të jepet më shumë informacion nga IAL mbi personelin e mjaftueshëm për instruktimin, udhëheqjen dhe mbikqyrjen e studentëve në praktikën profesionale.

2. Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Bachelor në “Ekonomiks”, përmbush pjesërisht standardet e cilësisë dhe për këtë arsye vendos kushtet e mëposhtme, pas plotësimit dhe verifikimit të të cilave jep vlerësim përfundimtar:
Kushtet:
  • Të përshtatet sistemi amerikan sipas Sistemit Europian të Transferimit dhe Grumbullimit të krediteve (ECTS), për të mundësuar njohjen e studimeve dhe transferimet e studentëve.
  • Të ruhet raporti i pranueshëm i pedagogëve pasi ka pedagogë që janë titullarë në shumë lëndë (7-14) madje dhe në lëndë të fushave të ndryshme.
  • Të rishikohet edhë njëherë të gjitha syllabuset pasi ka ende syllabuse në të cilat një temë e caktuar përsëritet dy ose tre javë rresht, nuk trajtohen çështjet e çdo teme, literatura bazë dhe ndihmëse nuk është e plotë.

Këshilli i Akreditimit, bazuar në kompetencën që i jep Ligji Nr 9741, datë 21.5.2007, Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, Vendim Nr.424, datë 02.6.2010 “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë” dhe Vendim Nr.368, datë 14.4.2011 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Vendimin Nr. 424, Datë 2.6.2010, të Këshillit të Ministrave “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë”, të ndryshuar”, i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës:

Institucioni aplikues “American Albanian University”, për programet e studimit: Bachelor në “Administrim Biznesi” dhe Bachelor në “Ekonomiks”, pasi të ketë plotësuar kushtet e mësipërme për secilin program studimi, të njoftojë zyrtarisht Këshillin e Akreditimit, i cili, pas verifikimit, do të rifillojë procedurën për vlerësimin e programeve të mësipërme.


BARDHYL MUSAI
KRYETAR I KËSHILLIT TË AKREDITIMIT