KËSHILLI I AKREDITIMIT
VENDIM Nr. 4 datë 17.02.2009
Për Akreditimin e Programeve të Studimit në Farmaci dhe në Drejtësi, të Shkollës së Lartë Universitare Private Kristal.
Këshilli i Akreditimit, pasi shqyrtoi vlerësimin për Programet e Studimit në Farmaci dhe në Drejtësi të Shkollës së Lartë Universitare Private Kristal të kryer gjatë periudhës mars – korrik 2008, mbështetur në raportin e vetëvlerësimit, raportin e vlerësimit të jashtëm dhe në raportimin e Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë për procedurën e vlerësimit dhe respektimin kritereve bazuar në standardet shtetërore të cilësisë, arrin në këto përfundime:
a. Veprimtaria e Institucionit është e ligjshme dhe e mbështetur në dokumente themelorë, drejtimi administrativ dhe menaxhimi i fakulteteve që lëshojnë diplomat respektive, është i mirë.
b. Informatizimi i sekretarive mësimore ka përmirësuar ndjeshëm funksionimin e bazës së të dhënave të studentëve. Infrastruktura është e përshtatshme për realizimin e procesit mësimor dhe kërkimor (auditorët, salla e kompjuterave, shërbimet e Internetit, telefonisë, fotokopje). Po ashtu ekzistenca e një kampusi dhe projekti për shtrirjen e tij u krijon studentëve kushte shumë të mira për mësim, shlodhje, argëtim dhe jetesë komode.
c. Programi mësimor është në funksion në formimit të juristëve dhe në përgjithësi, lëndët janë të mbuluara me literaturë dhe leksione të shkruara.
d. Mekanizmat e kontrollit e të monitorimit të procesit mësimor dhe të vlerësimit të dijeve e të informimit të studentëve funksionojnë. Është në procesin e ngritjes sistemi i brendshëm i sigurimit të cilësisë.
e. Qendra e kërkimit shkencor ‘Jean Monet’ është funksionale dhe është ngritur Komisioni i Nxitjes dhe i Promovimit të Kërkimit Shkencor.
f. Marrëveshjet e bashkëpunimit janë në funksion të rritjes së cilësisë të programeve të studimit dhe fuqizimit të veprimtarive kërkimore-shkencore.
g. Laboratorët janë bashkëkohorë, të pajisur mjaft mirë dhe janë në funksion të mësimdhënies dhe të kërkimit shkencor.
h. Personeli akademik, efektiv dhe me kontratë, i angazhuar në mësimdhënie ka nivel të lartë kualifikimi.
Këshilli i Akreditimit vëren se ka edhe disa mangësi në realizimin tërësor dhe me cilësi të procesit të formimit të studentëve dhe pajisjes së tyre me dijet dhe shprehitë e nevojshme, dhe, për këtë qëllim rekomandon:
I. Për programin e Studimit në Farmaci
a. Të ndahen qartë kompetencat dhe vendimmarrja akademike midis Bordit dhe Senatit Akademik në strukturën organizative të Fakultetit të Stomatologji - Farmacisë dhe Departamentit që përgjigjet për këtë program studimi.
b. Të zvogëlohet numri i përgjithshëm i vlerësimeve/provimeve dhe ngarkesa mësimore për disiplina të veçanta, sipas kërkesave të legjislacionit aktual për Arsimin e Lartë. Të zbatohet në mënyrë më rigoroze metodologjia për sistemin ECTS.
c. Në strukturën mësimore të parashikohet periudha e realizimit të praktikave mësimore profesionale në përputhje me sasinë e krediteve të deklaruara në planin mësimor.
d. Fakulteti të hartojë një plan zhvillimor për qëndrueshmërinë e personelit akademik.
e. Mësimdhënia në filialin e Fierit për degën e farmacisë, të shmanget, për sa kohë nuk plotësohen kushtet në përputhje me aktet përkatëse ligjore.
II. Për programin e Studimit në Drejtësi
a. Të plotësohen nga Fakulteti disa nga standardet numerike, sipas kërkesave të Ligjit për Arsimin e Lartë, për njësinë bazë kërkimore shkencore në IAL.
b. Kompetencat akademike të ndahen qartë nga Bordi dhe të ushtrohen për të mos dobësuar vendimmarrjen nga Senati.
c. Përbërja dhe mënyra e përzgjedhjes së organeve kolegjiale akademike të sigurojë rolin që duhet të kenë sipas Ligjit për Arsimin e Lartë dhe funksionet më të rëndësishme të tyre të jenë në nivelin e vendimmarrjes.
d. Struktura mësimore faktike të përputhet me planin mësimor.
e. Transferimi i studentëve të bëhet në përputhje me rregulloren e programit të studimeve.
f. Vlerësimi i çdo studenti të marrë në konsideratë të gjitha veprimtaritë formuese të lëndës, detyrat e seminaret dhe të parashikohen në programet e disiplinave.
Këshilli i Akreditimit, bazuar në kompetencën që i jep Ligji Nr 9741, datë 21.5.2007 Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, VKM Nr. 303, datë 1.7.1999 Për Krijimin e Sistemit të Akreditimit në Arsimin e Lartë, i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës:
Programi i studimit: Farmaci të akreditohet me kusht, që në vitin akademik 2008-2009, të fillojë nga funksionimi programi: Kurs studimi me kohëzgjatje të paktën 5 vjet që përfundon me Diplomë të Integruar e Nivelit të Dytë: Farmaci. Studentët e diplomuar në kursin trevjecar, duhet të përfundojnë programin e integruar të ciklit të dytë me një program shtesë dyvjeçar, me qëllim që diploma të jetë në pajtueshmëri me kërkesat e Ligjit për Arsimin e Lartë Nr. 9741 dhe të Udhëzimit të MASH, Nr. 15 dt. 04. 04. 2008.
Programi i studimit: Drejtësi, niveli i parë të akreditohet me kusht.
Detyrimet që duhet të përmbushë Shkolla e Lartë Universitare Private Kristal në zbatim të rekomandimeve të mësipërme, brenda periudhës 6-mujore, përmbahen në planin e veprimit të APAAL-it që i bashkënjgjitet këtij Vendimi. Mosplotësimi i tyre do të çojë në mosakreditimin e programeve të studimit.
KËSHILLI i AKREDITIMIT