VENDIM
Nr. 403, datë 11.01.2013
Për Programin e Studimit të Ciklit të Dytë që përfundon me Master i Shkencave (M.Sc.) në:
1. E DREJTË CIVILE
Për Programet e Studimit të Ciklit të Dytë që përfundojnë me Master Profesional (MP) në:
1. ADMINISTRIM BIZNESI
2. ADMINISTRIM PUBLIK
3. MARKETING
Këshilli i Akreditimit, pasi rishqyrtoi propozimin për plotësimin e kushteve të lëna në VKA Nr. 194 datë 24.06.2011, të Programeve të reja të studimit Master i Shkencave dhe Master Profesional të kërkuar nga Institucioni i Arsimit Privat “Shkolla e Lartë Ndërkombëtare e Tiranës”, bazuar në raportin e vlerësimit në përmbajtje, raportimin e Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë për procedurën e vlerësimit dhe respektimin e kritereve si edhe bazuar në standardet shtetërore të cilësisë, arrin në këtë përfundim:
1. Përmbajtja e Programit të ri të Studimit, M.Sc. në “E Drejtë Civile”, nuk përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Negativ, me argumentet:
- Plani mësimor është i paqartë në përmbajtjen e tij dhe nuk është paraqitur një plan mësimor i veçantë për studime me kohë të plotë dhe i veçantë për kohën e pjesshme.
- Plani mësimor i paraqitur nuk është i organizuar dhe i ndarë në vite apo semestra.
- Nuk janë paraqitur të gjithë syllabuset e lëndëve për të verifikuar nëse janë korrigjuar pasaktësitë që përmbajnë syllabuset për orët e leksioneve dhe ECTS të paraqitura në syllabus përkundrejt atyre të paraqitur në planin mësimor.
2. Përmbajtja e Programit të ri të Studimit, MP në “Administrim Biznesi”, nuk përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Negativ, me argumentet:
§ Vazhdojnë të ekzistojnë mospërputhje të ECTS totale me shumatoren e lëndëve të veçanta.
§ Nuk janë paraqitur syllabuset e lëndëve për të verifikuar nëse janë rregulluar mospërputhjet e disa syllabuseve me planin e përgjithshë mësimor lidhur me ndarjen e lëndëve të detyrueshme/me zgjedhje.
§ Nuk është paraqitur syllabusi i lëndës “Menaxhim strategjik i avancuar”.
3. Përmbajtja e Programit të ri të Studimit, MP në “Administrim Publik”, përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Pozitiv.
4. Përmbajtja e Programit të ri të Studimit, MP në “Marketing”, nuk përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Negativ, me argumentin:
§ Nuk janë paraqitur syllabuset e lëndëve për të verifikuar nëse është: uniformizuar strukturimi i tyre sipas elementeve përbërës, për të evituar mospërputhjet e elementeve të tyre me planin mësimor (numër kreditesh; emërtim lënde; emra pedagogësh etj); nuk është saktësuar forma e vlerësimit të studentit; nuk është rishikuar programi i lëndës “Marketingu ndërkombëtar”.
Këshilli i Akreditimit, bazuar në kompetencën që i jep Ligji Nr 9741, datë 21.5.2007, Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, Vendim Nr.424, datë 02.6.2010 “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë” dhe Vendim Nr.368, datë 14.4.2011 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Vendimin Nr. 424, Datë 2.6.2010, të Këshillit të Ministrave “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë”, të ndryshuar”, i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës:
Programi i Studimit: Master i Shkencave në E Drejtë Civile
të mos hapet
Programi i Studimit: Master Profesional në Administrim Biznesi
të mos hapet
Programi i Studimit: Master Profesional në Administrim Publik
të hapet
Programi i Studimit: Master Profesional në Marketing
të mos hapet