Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë

VENDIM Nr. 405, datë 11.01.2013, Shkolla e Lartë Universitare Private “Studime Europiane”,

KËSHILLI I AKREDITIMIT
 
 
VENDIM
 
Nr. 405, datë 11.01.2013
 
Për Programet e Studimit të Ciklit të Parë që përfundojnë me Bachelor (B.Sc) në:
1.   SHKENCA TURIZMI
2.   ADMINISTRIM I SHËRBIMIT HOTELIER
3.   JURIDIK
4.   ADMINISTRIM BIZNESI
5.   MARKETING
6.   MENAXHIM KOMUNIKIMI
7.   KONTROLL CILËSIE
 
Për Programet e Studimit të Ciklit të Dytë që përfundojnë me Master Profesional (MP) në:
1.   MENAXHIM HOTELI
2.   ADMINISTRIM PUBLIK
 
Për Programet e Studimit të Ciklit të Dytë që përfundojnë me Master i Shkencave (M.Sc.) në:
1.   EKONOMI MENAXHIM I NDËRMARRJEVE DHE SISTEMEVE TURISTIKE
2.   ADMINISTRIM BIZNESI
Këshilli i Akreditimit, pasi rishqyrtoi propozimin për plotësimin e kushteve të lëna në VKA Nr. 392 datë 26.10.2012, të Programeve të reja të studimit, Bachelor, Master i Shkencave dhe Master Profesional të kërkuar nga Shkolla e Lartë Universitare Private “Studime Europiane”, Tiranë, bazuar në raportin e vlerësimit në përmbajtje, raportimin e Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë për procedurën e vlerësimit dhe respektimin e kritereve si edhe bazuar në standardet shtetërore të cilësisë, arrin në këtë përfundim se:
 
1.     Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Bachelor në “Shkenca Turizmi”, nuk përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Negativ, me argumentet e mëposhtme:
  • Nuk është ndryshuar emërtimi i programit të studimit nga Shkenca Turizmi në Menaxhim Turizmi pasi ka një mospërputhje të linjës të llojeve të lëndëve që përfshihen në këtë strukturë me emërtimin e programit të studimit.
  • Nuk është përmirësuar plani mësimor duke përfshirë lëndë evoluese me karakter bazë dhe thelbësor në formimin e studentit, psh lënda “Politika rajonale” dhe “Ekonomia e tregjeve turistike” konsiderohen mjaft thelbësore dhe nuk mund të vendoset në vitin e tretë/semestri i dytë i studimit.
  • Nuk janë përfshirë në planin mësimor lëndë të reja të cilat përafrohen më shumë me emërtimin, qëllimin e diplomës dhe bashkimin e lëndëve të ngjashme në një lëndë, me emërtime veçanërisht ndërkombëtare; lëndë të formimit bazë si “Strategji Turizmi”; “Planifikim Turizmi”; “Manaxhim Destinacioni”; “Baza Turizmi”; “Turizmi dhe Europa” dhe “Manaxhim i turizmit të qëndrueshëm” që në eksperiencën më të mirë ndërkombëtare konsiderohen si shtyllat e lëndëve bazë dhe atyre formuese dhe lëndë bashkëkohore të thjeshtësuara si psh: “E-tourism”.
  • Nuk janë rregulluar paqartësitë midis lëndëve të përfshira në aktivitetet formuese, atyre me zgjedhje apo karakterizuese të lëndëve/moduleve.
  • Nuk janë rishikur lëndët si “Legjislacioni turistik europian dhe i krahasuar” dhe “Elemente të së drejtës ndërkombëtare europiane” pasi janë lëndë të ciklit të dytë të studimit dhe janë shumë për studentë që diplomohen në Bachelor dhe për më shumë në fushën e turizmit.
  • Nuk është përmbushur kushti për të thjeshtuar strukturën me lëndë bazike në formim: shkenca apo menaxhim turizmit, që i shërbejnë qëllimit të vendosur në programin e prezantuar si dhe emërtimit të programit të studimit.
  • Nuk është rishikuar plotësisht riorganizimi i emërtimeve të lëndëve si psh 1. lënda “E drejtë dhe politika rajonale turistike të emërtohet: Politika Turistike”; lënda “Ndërmarje turistike dhe marketing i territorit” të emërtohet “Marketing i Ndërmarrjeve Turistike”; lënda “Ekonomia e ndërmarrjes dhe ekonomia e tregjeve turistike” nuk është konceptuar në një lëndë të vetme  “Ekonomi Turizmi apo ekonomi e ndërmarjeve turistike”.
  • Nuk qartësohet më mirë koordinimi midis 4 faktorëve: 1. strukturës dhe syllabusave, 2. emërtimit të programit të studimit, 3. objektivave dhe misionit dhe 4. nevojave të tregut shqiptar në kuadrin e integrimit drejt BE.
  • Nuk jepen të dhëna për përfshirjen e rezultateve që dalin nga studimi real i tregut turistik, i cili çon në domosdoshmërinë e ekzistencës dhe prodhimit së një diplome apo programi të tillë që institucioni i arsimit të lartë sugjeron për tregun shqiptar.
  • Nuk janë realizuar marrëdhënie bashkëpunimi me Institucione e arsimit të lartë të huaj dhe Ministrinë e Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve, ku kjo IAL sugjeron të kryejë praktikën mësimore.
  • Nuk është organizuar shpërndarja e orëve duke synuar në dhënien e orëve në auditor për praktikën profesionale dhe për laboratore në lëndë specifike.
  • Nuk është realizuar ndryshimi dhe organizim cilësor e i plotë, i syllabuseve të lëndëve/moduleve.
 
2.   Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Bachelor në “Administrim i shërbimit hotelier”, nuk përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Negativ, me argumentet e mëposhtme:
  • Nuk është riformatuar emërtimi i programit të studimit sikurse ofrojnë edhe në objektiv.
  • Nuk është rikonceptuar argumenti për hapjen e programit të studimit dhe nuk është hartuar një studim më specifik për tregun, nevojat dhe një thellim të analizës, duke reflektuar domosdoshmërinë e një programi të tillë, të koordinuar në mënyrë makroekonomike duke iu bashkëngjitur edhe nevojave të ndryshimit dhe strukturimit të shërbimit hotelier shqiptar.
  • Nuk janë realizuar plotësisht bashkëpunime me institucione vendase, akademike ose jo.
  • Nuk është realizuar plotësisht koordinimi midis 4 faktorëve: riorganizimit të objektivit të programit të studimit; emërtimit të tij; studimit të paraqitur për tregun e punës me të gjithë elementët e cituar; kurrikulat, në përputje me interesat kombëtare dhe me ruajtjen e vlerave kulturore, historike dhe atyre të trashëgimisë.
§  Nuk është përmirësuar plotësisht koncepti për praktikën profesionale.
§  Në planin mësimor nuk janë përfshirë lëndë thelbësore si “Marketingu i shërbimeve turistike”; “Menaxhimi i Cilësisë së shërbimeve turistike”; “Baza turizmi”; “Shërbime hoteliere” dhe “Menaxhim i ndërmarrjeve pritëse hoteliere”. Lëndët apo modulet gjuhë e huaj duhet të riorganziohen në dy drejtime: 1. të fokusohen në nivel të përgjithshëm vetëm në vitin e parë; të shtohet anglishtja e turizmit.
 
3.   Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Bachelor në “Juridik”, përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Pozitiv.
 
4.   Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Bachelor në “Administrim Biznesi”, përmbush pjesërisht standardet e cilësisë dhe për këtë arsye vendos kushtet e mëposhtme, pas plotësimit dhe verifikimit të të cilave jep vlerësim përfundimtar:
Kushtet:
§  Të paraqiten më të plota temat e lëndëve “”Menaxhim i operacioneve”; dhe “Kontabilitet kosto drejtim”.
§  Të rishikohen mirë temat e lëndës “Aftësitë menaxheriale” si dhe literatura përkatëse.
§  Për titullarët e lëndëve/moduleve sugjerohet të kenë gradën shkencore ‘Doktor’ ose titullin akademik ‘Docent’ për të ofruar në mënyrë cilësore lëndën/modulin.
§  Të paraqitet më shumë informacion mbi personelin ndihmës mësimor shkencor dhe administrativ të nevojshëm e të përshtatshëm për të ofruar në mënyrë cilësore realizimin e orëve laboratorike dhe për mirëmbajtjen e laboratorëve e mjediseve shkollore.
 
5.   Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Bachelor në “Marketing”, përmbush pjesërisht standardet e cilësisë dhe për këtë arsye vendos kushtet e mëposhtme, pas plotësimit dhe verifikimit të të cilave jep vlerësim përfundimtar:
Kushtet:
  • Të përshtatet dhe të rregullohet ndarja e lëndëve për disiplinat A, C dhe D.
  • Të specifikohet në planin mësimor “Praktikë” bashkë me orët dhe kreditet e nevojshme.
  • Të përfshihen të gjitha temat për lëndën “Marketing ndërkombëtar” si dhe literatura të jetë më e plotë për këtë lëndë dhe më e lidhur me specifikën e lëndës; ndërsa për lëndën “Sjellje organizative” duhen më shumë tema.
  • Të paraqitet me vitin e botimit literatura për lëndët si Matematikë e përgjithshme; Marketingu i tregjeve të biznesit dhe Sjellje konsumatori.
  • Të përshtatet literatura me emërtimin për lëndën “Makroekonomi”.
§  Të paraqiten më shumë informacion mbi zhvillimin e praktikave, mbi personelin e mjaftueshëm për instruktimin, udhëheqjen dhe mbikqyrjen e studentëve në praktikën profesionale, dhe mbi garantueshmërinë e mjediseve të mjaftueshme për zhvillimin e praktikave profesionale, nga vetë ajo apo në bashkëpunim me institucione të tjera.
 
6.   Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Bachelor në “Menaxhim Komunikimi”, përmbush pjesërisht standardet e cilësisë dhe për këtë arsye vendos kushtet e mëposhtme, pas plotësimit dhe verifikimit të të cilave jep vlerësim përfundimtar:
Kushtet:
§  Të paraqiten më të plota temat e lëndëve “Historia e komunikimit të masës” dhe “Teori dhe teknika të gjuhës në radiotelevizion”.
§  Të paraqiten më shumë informacion mbi zhvillimin e praktikave, mbi personelin e mjaftueshëm për instruktimin, udhëheqjen dhe mbikqyrjen e studentëve në praktikën profesionale, dhe mbi garantueshmërinë e mjediseve të mjaftueshme për zhvillimin e praktikave profesionale, nga vetë ajo apo në bashkëpunim me institucione të tjera.
 
7.     Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Bachelor në “Kontroll Cilësie”, përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Pozitiv.
 
8.     Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Master Profesional në “Menaxhim Hoteli”, përmbush pjesërisht standardet e cilësisë dhe për këtë arsye vendos kushtet e mëposhtme, pas plotësimit dhe verifikimit të të cilave jep vlerësim përfundimtar:
Kushtet:
§  Të sillet dokumentacion që tregon mundësinë e ofrimit të leksioneve, seminareve, detyrave, laboratorëve dhe ngarkesës jashtë auditorit nga personeli i huaj i angazhuar në këtë program studimi.
§  Të përfshihen disa marrëveshje bashkëpunimi më institucione akademike dhe universitete vendase të shpërndara për qëllime më specifike; për praktikën mësimore, për kryerjen e laboratorëve apo ushtrimeve etj.
§  Të realizohet një studimi  i plotë i tregut të punës dhe të përfshihet si pjesë vitale e këtij programi studimi.
§  Të përmirësohet numri i provimeve pasi konsiderohet i ulët për një master profesional.
§  Për disa lëndë si “Historia e turizmit”; “hyrje në mikpritje” dhe “Industri turizmi, edistribution dhe menaxhim i të ardhurave” si ngarkesë jashtë auditorit mund të jenë edhe format e detyrave.
 
9.     Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Master i Shkencave në “Ekonomi, menaxhim i ndërmarrjeve dhe sistemeve turistike”, përmbush pjesërisht standardet e cilësisë dhe për këtë arsye vendos kushtet e mëposhtme, pas plotësimit dhe verifikimit të të cilave jep vlerësim përfundimtar:
Kushtet:
  • Të ndryshohet emërtimi i diplomës në Master i Shkencave në “Menaxhim i ndërmarrjeve turistike” ose “Ekonomi e ndërmarrjeve turistike” apo “Ekonomi turizmi” pasi ka një mospërputhje midis programit, titullit dhe objektivave.
  • Të hartohet një studim i plotë i tregut dhe të përfshihet si pjesë vitale e këtij programi studimi, duke ofruar specifikiat e veta.
  • Të përfshihen në planin mësimor lëndë të tilla si: “Menaxhim i projekteve turistike”; “Menaxhim Turizmi” apo “Menaxhim projektesh turistike”; “Planifikim urban” dhe “Menaxhim i ndërmarrjeve udhëtimeve turistike”.
  • Të zëvendësohen lëndët si “Ekonomi e ndërmarrjeve turistike”; “Ekonomi e turizmit” dhe “Ekonomi e të mirave dhe veprimtari kulturore” me një lëndë të vetme si “Ekonomia e turizmit”.
  • Të rishikohen edhe njëherë në detaje edhe të gjithë syllabuset për një përputhje më cilësore midis emërtimit të objektivave të çdo lëndë dhe të llojit të literaturës së përfshirë.
  • Të përputhen temat dhe të jepen shtjellimet e temave sipas titujve të lëndëve, pasi në mjaft raste temat nuk kanë lidhje me titujt.
  • Të ndahet literatura në literaturë bazë dhe ndihmëse për të gjithë syllabuset e lëndëve/moduleve, unanimisht.
  • Të përdoret literaturë vendase nga akademia vendase.
  • Të mos citohet përdorimi e cikleve të leksioneve apo leksioneve në formë të shkruar.
  • Të perdoret literaturë e kohëve dhe viteve të fundit, kryesisht pas viteve 2005.
 
10.  Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Master Profesional në “Administrim Publik”, përmbush pjesërisht standardet e cilësisë dhe për këtë arsye vendos kushtet e mëposhtme, pas plotësimit dhe verifikimit të të cilave jep vlerësim përfundimtar:
Kushtet:
§  Të përputhen temat e lëndëve dhe literatura e paraqitur për syllabuset si “Njohuritë bazë në administratën publike” dhe “Metoda kërkimi në ekonominë e aplikuar”.
§  Të rregullohet mospërputhja që syllabuset e lëndëve “Ekonomiks i sektorit publik” dhe “Financat e sektorit publik” të mos kenë të njëjta tema.
§  Të plotësohet viti i botimit të literaturës së përdorur në syllabusin e lëndës “Financa e sektorit publik”.
 
11.  Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Master i Shkencave në “Administrim Biznesi”, përmbush pjesërisht standardet e cilësisë dhe për këtë arsye vendos kushtet e mëposhtme, pas plotësimit dhe verifikimit të të cilave jep vlerësim përfundimtar:
Kushtet:
§  Të përputhen temat e lëndëve dhe literatura e paraqitur për syllabuset si “Kërkim tregu, kërkim cilësor”; “Metoda kërkimi në ekonominë e aplikuar” dhe “Qeverisje koorporatash”.
 
 
Këshilli i Akreditimit, bazuar në kompetencën që i jep Ligji Nr 9741, datë 21.5.2007, Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, Vendim Nr.424, datë 02.6.2010 “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë” dhe Vendim Nr.368, datë 14.4.2011 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Vendimin Nr. 424, Datë 2.6.2010, të Këshillit të Ministrave “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë”, të ndryshuar”, i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës:
 
Programi i Studimit:                            Bachelor në Shkenca Turizmi
                                                            të mos hapet
 
Programi i Studimit:                            Bachelor në Administrim i shërbimit hotelier
                                                            të mos hapet
 
Programi i Studimit:                            Bachelor në Juridik
                                                            të hapet
 
Programi i Studimit:                            Bachelor në Kontroll Cilësie
                                                            të hapet
 
Institucioni aplikues Shkolla e Lartë Universitare Private “Studime Europiane”, Tiranë, për programin e studimit: Bachelor në “Administrim Biznesi”; Bachelor në “Marketing”; Bachelor në “Menaxhim Komunikimi”; Master Profesional në “Menaxhim Hoteli”; Master i Shkencave në “Ekonomi, menaxhim i ndërmarrjeve dhe sistemeve turistike”; Master Profesional në “Administrim Publik” dhe Master i Shkencave në “Administrim Biznesi”, pasi të ketë plotësuar kushtet e mësipërme për secilin program studimi, të njoftojë zyrtarisht Këshillin e Akreditimit, i cili, pas verifikimit, do të rifillojë procedurën për vlerësimin e programeve të mësipërme.
 
 
BARDHYL MUSAI
 
KRYETAR I KËSHILLIT TË AKREDITIMIT