KËSHILLI I AKREDITIMIT
VENDIM
Nr. 409, datë 11.01.2013
Për Programet e Studimit të Ciklit të Dytë që përfundojnë me Master Profesional (MP) në:
1. INFERMIERI
2. EDUKIM
Këshilli i Akreditimit, pasi rishqyrtoi propozimin për plotësimin e kushteve të lëna në VKA Nr. 289 datë 20.12.2011, të Programeve të reja të studimit, Master Profesional, të kërkuar nga Institucioni i Arsimit të Lartë Privat “Nëna Mbretëreshë Geraldinë”, Burrel, bazuar në raportin e vlerësimit në përmbajtje, raportimin e Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë për procedurën e vlerësimit dhe respektimin e kritereve si edhe bazuar në standardet shtetërore të cilësisë, arrin në këtë përfundim se:
1. Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Master Profesional në “Infermieri”, nuk përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Negativ, me argumentet e mëposhtme:
- Nuk janë përshtatur temat e trajtuara në syllabusin “Principe të menaxhimit infermieror.” me vetë qëllimin dhe objektivin e kësaj lëndë pasi ekziston një bashkim i temave të disa lëndëve ku njëra prej tyre është “Higjena” e trajtuar në Ciklin e Parë.
- Nuk është përmirësuar lista e diplomave Bachelor që lejojnë të regjistrohen në këtë program, pasi një student i diplomuar në “Bsc Logopedi” nuk mund të ushtrojë profesionin e infermierit pas përfundimit të këtij masteri, ashtu siç përshkruhet në qëllimin dhe objektivat e dhëna në fillim të kësaj kurrikule.
- Nuk është përfshirë si kriter i detyrueshëm specifik gjuha e huaj.
2. Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Master Profesional në “Edukim”, nuk përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Negativ, me argumentet e mëposhtme:
- Personeli akademik i angazhuar në realizimin e këtij program studimi është i tërë nga Universiteti i Tiranës.
- Ka mospërputhje midis fushës së formimit të personeli akademik dhe lëndës që do të zhvillojnë.
- Emërtimi i programit të studimit nuk është në përputhje me këtë program.
- Literatura e përdorur në syllabuset e lëndëve nuk është e duhura dhe nuk është përfshirë aspak literaturë në gjuhën shqipe por vetëm në të huaj, për të cilën nuk ka asnjë dëshmi të zotërimit nga studenttë të gjuhës angleze, por as edhe nga personeli akademik se mësimi do të zhvillohet në anglisht.
Këshilli i Akreditimit, bazuar në kompetencën që i jep Ligji Nr 9741, datë 21.5.2007, Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, Vendim Nr.424, datë 02.6.2010 “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë” dhe Vendim Nr.368, datë 14.4.2011 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Vendimin Nr. 424, Datë 2.6.2010, të Këshillit të Ministrave “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë”, të ndryshuar”, i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës:
Programi i Studimit: Master Profesional në Infermieri
të mos hapet
Programi i Studimit: Master Profesional në Edukim
të mos hapet
BARDHYL MUSAI
KRYETAR I KËSHILLIT TË AKREDITIMIT