Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë

VENDIM Nr. 413, datë 11.01.2013, Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë

 
KËSHILLI I AKREDITIMIT
 
 
VENDIM
 
Nr. 413, datë 11.01.2013
 
Për Programet e Studimit të Ciklit të Dytë që përfundojnë me Master Profesional (MP) në:
1.   FINANCË
2.   KONTABILITET
3.   EKONOMIKS NË SIPËRMARRJE
4.   MARKETING
 
Këshilli i Akreditimit, pasi shqyrtoi propozimet për hapjen e Programeve të reja të studimit Master Profesional, të kërkuara nga Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë, bazuar në raportet e vlerësimit teknik dhe në përmbajtje, raportimin e Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë për procedurën e vlerësimit dhe respektimin e kritereve si edhe bazuar në standardet shtetërore të cilësisë, arrin në këtë përfundim:
 
1.   Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Master Profesional në “Financë”, përmbush pjesërisht standardet e cilësisë dhe për këtë arsye vendos kushtet e mëposhtme, pas plotësimit dhe verifikimit të të cilave jep vlerësim përfundimtar:
Kushtet:
§  Të hartohet një studim i mirëfilltë tregu për rëndësinë që ka implementimi i këtij programi studimi.
§  Të reflektohet qartë përmbajtja e qellimeve, objektivave dhe mënyra e arritjes së tyre.
§  Të përmirësohet struktura e programit të studimit, për t’i pajisur studentët me kompetenca profesionale.
§  Të përfshihen në planin mësimor lëndë praktike, si p.sh “Teoria moderne e investimeve në vend të investimeve financiare”; lëndë me karakter financiar si “Bazat e financave ndërkombëtare”; të përfshihet lënda “Modelim financiar” në vend të lëndës me zgjedhje; lënda “Marketing i shërbimeve financiare” të përfshihet që në vitin e parë; lënda “Legjislacion bankar” të jetë lëndë bazë dhe jo lëndë me zgjedhje; të zëvendësohet lënda “Investime financiare” me ‘Teoria moderne e investimeve”; të përfshihen 2 lëndë të tipit dhe karakterit legjislativ dhe lëndë të tipit “Ekonometri” apo “Kontabilitet”.
§  Të realizohet një riorganizim i krediteve duke reflektuar më shumë kredite në lëndë bazike dhe më pak në lëndë të karakterit të dytë apo të tretë si dhe duke reflektuar mbase më shumë kredite për praktikën profesionale.
§  Të përfshihen edhe ngarkesa të tjera mësimore si detyra kursi dhe laboratore etj.
§  Të përshtaten dhe të rregullohen të gjitha syllabuset e lëndëve me elementët e tyre përbërës si dhe të përmirësohen mospërputhjet që ekzistojnë midis emërtimeve të lëndëve; të mos përdoret i njëjti tekst i huaj në shumë lëndë dhe të mos përsëriten temat në lëndë të ndryshme.
 
2.   Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Master Profesional në “Kontabilitet”, përmbush pjesërisht standardet e cilësisë dhe për këtë arsye vendos kushtet e mëposhtme, pas plotësimit dhe verifikimit të të cilave jep vlerësim përfundimtar:
Kushtet:
§  Të paraqiten CV-të e personelit akademik.
§  Të qartësohet mbulimi i lëndëve/moduleve me pedagogun përkatës pasi ka mospërputhje.
§  Të rregullohen mospëputhjet e krediteve të deklaruara për “Temën e diplomës”.
§  Të jepet më shumë informacion dhe të sqarohet sesi do të realizohet praktika profesionale dhe të paraqiten marrëveshje e deklaruara të bashkëpunimit.
 
3.   Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Master Profesional në “Ekonomiks në sipërmarrje”, përmbush pjesërisht standardet e cilësisë dhe për këtë arsye vendos kushtet e mëposhtme, pas plotësimit dhe verifikimit të të cilave jep vlerësim përfundimtar:
Kushtet:
§  Të paraqitet një studim real tregu në përputhje me synimet strategjike të zhvillimit ekonomik kombëtar.
§  Të paraqiten syllabuset me të gjithë elementët e tyre përbërës si dhe të zgjerohen temat e lëndëve.
§  Të specifikohet gjuha që do të përdoret në këtë program studimi.
§  Literatura të paraqitet me vitin e botimit si dhe të përfshihet literaturë ndihmëse.
§  Të paraqiten CV e të gjithë stafit akademik që do të angazhohet në mësimdhënie.
§  Të jepet më shumë informacion mbi pedagogët me kohë të plotë apo me kohë të pjesshme që do të angazhohen në këtë program.
§  Të përmbushet kriteri që titullari i lëndës/modulit të kenë të paktën gradën shkencore “Doktor”.
§  Të jepet më shumë informacion për aktorët e parashikuar në realizimin e praktikave profesionale, si dhe të paraqiten marrëveshjet e bashkëpunimit.
§  Të parashikohet me ngarkesë më të madhe në kredite, mikroteza.
§  Të parashikohen tek të gjitha syllabuset e çdo lënde, detyra kursi për t’i aftësuar dhe formuar më mirë profesionalisht studentët e masterit.
§  Të unifikohet mënyra e vlerësimit të studentëve, si p.sh: 50-60 pikë teste (të ndërmjetme dhe ai final); 20 pikë detyrë kursi, 20-30 pikë pjesmarrje e studentëve.
 
4.   Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Master Profesional në “Marketing”, përmbush pjesërisht standardet e cilësisë dhe për këtë arsye vendos kushtet e mëposhtme, pas plotësimit dhe verifikimit të të cilave jep vlerësim përfundimtar:
Kushtet:
§  Të rregullohet mospërputhjet për emërtimin e programit të studimit.
§  Të paraqitet një studim real tregu në përputhje me synimet strategjike të zhvillimit ekonomik kombëtar.
§  Të paraqitet syllabusi i lëndës “Menaxhimi i çështjeve publike: çështjeve konsumatore dhe marrëdhënieve me qeverinë”.
§  Të përfshihet në syllabuset e lëndëve edhe literaturë në gjuhën shqipe.
§  Të paraqiten CV e të gjithë stafit akademik që do të angazhohet në mësimdhënie.
§  Të jepet më shumë informacion mbi pedagogët me kohë të plotë apo me kohë të pjesshme që do të angazhohen në këtë program.
§  Të jepet më shumë informacion për aktorët e parashikuar në realizimin e praktikave profesionale, si dhe të paraqiten marrëveshjet e bashkëpunimit.
§  Të sqarohet mënyra e dorëzimit të Mikrotezës së hartuar nga studenti.
§  Të parashikohen tek të gjitha syllabuset e çdo lënde, detyra kursi për t’i aftësuar dhe formuar më mirë profesionalisht studentët e masterit.
§  Të unifikohet mënyra e vlerësimit të studentëve, si p.sh: 50-60 pikë teste (të ndërmjetme dhe ai final); 20 pikë detyrë kursi, 20-30 pikë pjesmarrje e studentëve.
§  Të rishikohen kriteret e pranimit pasi mund të përfshihen si kandidatë dhe ata studentë që kanë mbaruar studimet BSc në Shkenca Sociale, Juridik, etj.
 
 
Këshilli i Akreditimit, bazuar në kompetencën që i jep Ligji Nr 9741, datë 21.5.2007, Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, Vendim Nr.424, datë 02.6.2010 “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë” dhe Vendim Nr.368, datë 14.4.2011 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Vendimin Nr. 424, Datë 2.6.2010, të Këshillit të Ministrave “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë”, të ndryshuar”, i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës:
 
 
Institucioni aplikues Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë, për programet e studimit: Master Profesional në “Financë”, Master Profesional në “Kontabilitet”, Master Profesional në “Ekonomiks në sipërmarrje” dhe Master Profesional në “Marketing”, pasi të ketë plotësuar kushtet e mësipërme për secilin program studimi, të njoftojë zyrtarisht Këshillin e Akreditimit, i cili, pas verifikimit, do të rifillojë procedurën për vlerësimin e programeve të mësipërme.
 
 
BARDHYL MUSAI
 
 
KRYETAR I KËSHILLIT TË AKREDITIMIT