Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë

VENDIM Nr. 425, datë 11.01.2013, Shkolla e Lartë Ndërkombëtare e Tiranës

KËSHILLI I AKREDITIMIT
 
 
VENDIM
 
Nr. 425, datë 11.01.2013
 
 
Për akreditimin Institucional dhe të Programeve të Studimit që përfundojnë me Bachelor në “Ekonomi – Menaxhim”; Bachelor në “Ekonomi – Finance” dhe Bachelor në “Drejtësi”, të Institucionit të Arsimit Privat “Shkolla e Lartë Ndërkombëtare e Tiranës”.
 
Këshilli i Akreditimit, pasi shqyrtoi vlerësimin Institucional dhe të Programeve të Studimit që përfundojnë me Bachelor në “Ekonomi – Menaxhim”; Bachelor në “Ekonomi – Finance” dhe Bachelor në “Drejtësi”, të Institucionit të Arsimit Privat “Shkolla e Lartë Ndërkombëtare e Tiranës”, të mbështetur në raportet e vetëvlerësimit, raportet e vlerësimit të jashtëm, në raportimin e Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë, jep vlerësimin përfundimtar Pozitiv, pasi janë në përputhje me standardet, kërkesat ligjore institucionale dhe akademike në fuqi.
 
Këshilli i Akreditimit vëren se në përgjithësi Institucioni dhe programet e studimit, i  përmbushin objektivat formues, por kanë edhe disa mangësi në realizimin tërësor dhe me cilësi të procesit të formimit të studentëve dhe pajisjes së tyre me dijet dhe shprehitë e nevojshme dhe për këtë qëllim
 
REKOMANDON:
Për Institucionin Institucioni i Arsimit Privat “Shkolla e Lartë Ndërkombëtare e Tiranës”
§  Të ngrihet zyra e humultimeve, ku në drejtimin e saj të emërohet zëvendës-rektor dhe / ose Zëvendës-Dekan, përgjegjës për hulumtimet.
§  Të ngrihet zyra e Sigurimit të Cilësisë për të centralizuar dhe harmonizuar nismat e zhvillimit të cilësisë në të gjithë aktivitetet, dhe për të përmirësuar zhvillimin e sistemeve të cilësisë.
§  Të mbështetet veprimtaria kërkimore duke krijuar një Fond Research.
§  Të mbështetet personeli akademik, edhe financiarisht, për të marrë pjesë në aktivitete mbështetëse zhvillimi dhe në seminare mbi metodat e mësimdhënies, motivimin e studentëve dhe mësimit si dhe mbi metodat e vlerësimit, etj.
§  Të krijohen marrëveshje kontraktuale me kompani ose të ftohen individë nga bota e biznesit për të marrë pjesë si folës në ligjërata, për të krijuar një lidhje të ngushtë midis mësimdhënies, hulumtimit, dhe praktikën e biznesit.
§  Të rritet numri i personelit akademik me kohë të plotë.
 
Për programin e studimit Bachelor në “Ekonomi – Menaxhim”; Bachelor në “Ekonomi – Financë”
§  Të përmirësohen dhe të azhornohen vazhdimisht programet e këtyre profileve duke u bazuar në literaturat më bashkëkohore dhe të autorëve të njohur të vendit dhe botërorë.
§  Të shikohet në të ardhmen mundësia e rritjes së numrit të pedagogëve me kohë të plotë të SHLNTse sepse kjo gjë do ta ndihmonte atë të krijonte një profil të plotë të sajin;
§  Të gjendet mundësi që edhe në ato pak lëndë/module që titullarë nuk janë persona me titullin/gradën shkencor të duhur, në të ardhmen të afrohen pedagogë të njohur të këtyre fushave të cilët të bashkëpunojnë me pedagogët aktual (të cilët dhe këta në një periudhe 1-3 vjeçare do të jenë pajisur me tituj/grada shkencore).
§  Të bëhet shumë promocion për tërheqjen në këto programe studimi të një numri më të madh studentësh.
 
Për programin e studimit Bachelor në “Drejtësi”
§  Institucioni duhet të kompletojë në kohë sa më të shkurtër stafin akademik të brendshëm në përputhje me kriteret për numrin e pedagogëve të brendshëm për çdo Departament, numrin e anëtarëve me tituj dhe grada si dhe titujt dhe gradat për titullarët e lëndëve.
§  Drejtuesit në nivel Departamentesh dhe Dekanati duhet të nxitojnë për të marrë titujt dhe gradat shkencore në përputhje me kriteret e parashikuar për titujt dhe gradat e stafit drejtues.
§  Institucioni duhet të kryejë një studim real të tregut të punës, si dhe të krijojë mekanizma për të monitoruar punësimin e ardhshëm të studentëve.
§  Të mundësohet auditimi i përvitshëm financiar nga ana e Institucionit dhe njohja e tij nga stafi akademik, administrativ, dhe studentët.
§  Bibloteka duhet të rifreskohet në mënyrë të vazhdueshme me literature bashkëkohore si dhe të pasurohet fondi i literaturës në gjuhën shqipe.
§  Institucioni duhet të synojë intensifikimin dhe rritjen e e marëdhënieve të bashkëpunimit në fushën e kërkimit dhe kualifikimit shkencor me institucionet homologe brenda dhe jashtë vendit si dhe krijimin e lidhjeve me aktorët e biznesit vendas ose të huaj në mënyrë që të përgatisë studentët për tregun e punës.
§  Duhet të rritet roli i Institucionit në drejtim të kërkimit shkencor dhe nxitjes së veprimtarisë shkencore të anëtarëve të stafit akademik.
§  Institucioni duhet të krijojë mjete dhe mundësi për të mundësuar procesin e kualifikimit shkencor dhe rritjes akdemike të stafit akdemik si dhe metoda të monitorimit të këtij procesi.
 
Këshilli i Akreditimit, bazuar në kompetencën që i jep Ligji Nr 9741, datë 21.5.2007, Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, Vendim Nr.424, datë 02.6.2010 “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë” dhe Vendim Nr.368, datë 14.4.2011 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Vendimin Nr. 424, Datë 2.6.2010, të Këshillit të Ministrave “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë”, të ndryshuar”, i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës:
 
Akreditimin Institucional të Institucionit të Arsimit Privat “Shkolla e Lartë Ndërkombëtare e Tiranës”.
 
 
Programi i Studimit:                            Bachelor në “Ekonomi – Menaxhim”
të akreditohet.
 
Programi i Studimit:                            Bachelor në “Ekonomi – Financë”
të akreditohet.
 
Programi i Studimit:                            Bachelor në “Drejtësi”
të akreditohet.
 
 
BARDHYL MUSAI
 
 
KRYETAR I KËSHILLIT TË AKREDITIMIT