Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë

VENDIM Nr. 457, datë 03.05.2013 Universiteti “Aleksandër Moisiu”, Durrës

KËSHILLI I AKREDITIMIT
VENDIM
Nr. 457, datë 03.05.2013
 

Për Programin e Studimit të Ciklit të Dytë që përfundon me Master Profesional (MP) në:

1.   SIGURIM JETE, JO JETE DHE SIGURIMET DETARE

Këshilli i Akreditimit, pasi shqyrtoi propozimin për hapjen e Programit të ri të studimit Master Profesional, të kërkuar nga Universiteti “Aleksandër Moisiu”, Durrës, bazuar në raportin e vlerësimit teknik dhe në përmbajtje, raportimin e Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë për procedurën e vlerësimit dhe respektimin e kritereve si edhe bazuar në standardet shtetërore të cilësisë, arrin në këtë përfundim:
 
1.   Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Master Profesional në “Sigurimet jete, jo jete dhe sigurimet detare”, përmbush pjesërisht standardet e cilësisë dhe për këtë arsye vendos kushtet e mëposhtme, pas plotësimit dhe verifikimit të të cilave jep vlerësim përfundimtar:

Kushtet:
  • Të përfshihet në planin mësimor të programit të studimit një lëndë juridike për të plotësuar më së miri njohuritë si ekonomike ashtu dhe juridike
  • Të lidhen marrëveshje institucionale për realizimin e praktikës mësimore.
Këshilli i Akreditimit, bazuar në kompetencën që i jep Ligji Nr 9741, datë 21.5.2007, Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, Vendim Nr.424, datë 02.6.2010 “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë” dhe Vendim Nr.368, datë 14.4.2011 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Vendimin Nr. 424, Datë 2.6.2010, të Këshillit të Ministrave “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë”, të ndryshuar”, i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës:

Institucioni aplikues, Universiteti “Aleksandër Moisiu”, Durrës, për programin e studimit Master Profesional në “Sigurimet jete, jo jete dhe sigurimet detare”, pasi të ketë plotësuar kushtet e mësipërme për këtë program studimi, të njoftojë zyrtarisht Këshillin e Akreditimit, i cili, pas verifikimit, do të rifillojë procedurën për vlerësimin e programit të mësipërm.
 

BARDHYL MUSAI
KRYETAR I KËSHILLIT TË AKREDITIMIT