KËSHILLI I AKREDITIMIT
VENDIM
Nr. 467, datë 03.05.2013
Për akreditimin e Programeve të Studimit që përfundojnë me Bachelor në “Psikologji”; “Bachelor në Informatikë Ekonomike, me profile: Menaxhim biznesi; Financë dhe Bankë”; Master i Shkencave në “Shkenca Edukimi, me profile: Politikat e edukimit; Administrim Shkollor”; “Master Profesional në “Informatikë e Aplikuar, me profile: Dizenjim dhe Zhvillim Aplikimesh; Baza të Dhënash; Informatikë Sociale” dhe Master Profesional në “Psikologji shkollore”, të “Universiteti Europian i Tiranës”.
Këshilli i Akreditimit, pasi shqyrtoi vlerësimin e Programeve të Studimit që përfundojnë me Bachelor “Psikologji”; “Bsc Informatikë Ekonomike, me profile: Menaxhim biznesi; Financë dhe Bankë”; Master i Shkencave në “Shkenca Edukimi, me profile: Politikat e edukimit; Administrim Shkollor”; “Master Profesional në “Informatikë e Aplikuar, me profile: Dizenjim dhe Zhvillim Aplikimesh; Baza të Dhënash; Informatikë Sociale” dhe Master Profesional “Psikologji shkollore”, të “Universiteti Europian i Tiranës”, të mbështetur në raportin e vetëvlerësimit, raportin e vlerësimit të jashtëm, në raportimin e Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë, jep vlerësimin përfundimtar Pozitiv, pasi janë në përputhje me standardet, kërkesat ligjore institucionale dhe akademike në fuqi.
Këshilli i Akreditimit vëren se në përgjithësi programet e studimit, i përmbushin objektivat formues, por kanë edhe disa mangësi në realizimin tërësor dhe me cilësi të procesit të formimit të studentëve dhe pajisjes së tyre me dijet dhe shprehitë e nevojshme dhe për këtë qëllim
REKOMANDON:
Për programin e studimit Bachelor në “Psikologji”- Përmirësimin e cilësisë së ulët të studentëve të pranuar në programin BSc në Psikologji.
- Realizimin e një njohje më të mirë të tregut për psikologë, bazuar në interesat e maturantëve dhe mendimet e Bordit të Tregut të Punës.
- Integrimin e rezultateve të kërkimit në procesin mësimor.
- Rritjen e numrit të pajisjeve teknologjike mësimore dhe burimet e literaturës në mbështetje të programit BSC në Psikologji.
- Përfshirjen e studentëve në procesin e komunikimit të rezultateve të vlerësimit të programeve të studimit, të mësimdhënies dhe të vlerësimit të brendshëm.
- Përfshirjen e studentëve në veprimtarinë kërkimore të Departamentit të Edukimit, të FSHSE dhe të universitetit.
Për programin e studimit Bachelor në “Informatikë Ekonomike, me profile: Menaxhim biznesi; Financë dhe Bankë”
§ Realizimin e studimit të tregut bazuar në metoda dhe instrumenta të provuar për të identifikuar pritshmëritë e punëdhënësve për aftësitë që studentët duhet të zotërojnë në përfundim të studimeve në programin e studimit “Bsc Informatikë Ekonomike, me profile: Financë dhe Bankë; Menaxhim Biznesi”.
§ Implementimin e një sistemi të qendërzuar për automatizimin e menaxhimit të studentëve dhe personelit.
§ Pasurimin e faqes së internetit me të dhëna mbi proçesin dhe rezultatet e akreditimit të institucionit dhe programeve mësimore.
§ Pasurimin e faqes së internetit me rezultatet e vlerësimit të nxjera nga KSBC si dhe rezultatet që universiteti synon të arrijë.
Për programin e studimit Master i Shkencave në “Shkenca Edukimi, me profile: Politikat e edukimit; Administrim Shkollor”
§ Përfshirjen e studentëve në veprimtari me fokus “kërkime shkencore”.
§ Identifikimi dhe kontraktimi i institucioneve prestigjoze ku mund të bëhet praktika e studentëve, si IZHA, IKT, MASH, QKV e tjerë.
§ Pasurimin i biblotekës me “tituj” të mirënjohur në shkencat e edukimit në nivel europian dhe përtej që do të jene bazë teorike për të bërë hulumtime në shkencat e edukimit.
§ Përfshirjen e studentëve në institucione vendimarrëse si: Këshilli i Etikës, Senati Akademik e tjerë.
§ Të sigurohet që studentët e këtij programi studimi të japin në përfundim dhe provimin e gjuhës angleze, mbi bazën e testeve të njohura ndërkombëtare.
Për programin e studimit Master Profesional në “Informatikë e Aplikuar, me profile: Dizenjim dhe Zhvillim Aplikimesh; Baza të Dhënash; Informatikë Sociale”
§ Ngritjen e një sistemi të unifikuar që do të lehtësonte identifikimin e plagjiaturës (eventualisht një sistemi informatik)
§ Përfshirjen e studentëve në vendimarrje, megjithë hapësirat e shumta që ekzistojnë në këtë drejtim.
§ Përfshirjen e studentëve në veprimtarinë kërkimore shkencore të UET
§ Adoptimin e filozofisë së të mësuarit nëpërmjet pjesëmarrjes në punë kërkimore
§ Pasurimin e bibliotekës me botime bazë në fushën e teknologjisë së informacionit
§ Sigurimin e mbështetjes nga burime të jashtme për zbatimin e projekteve kërkimore
§ Të krijohen mundësitë për të patur akses më të lartë në financimet e BE-së.
§ Të sigurohet që studentët e këtij programi studimi të japin në përfundim dhe provimin e gjuhës angleze, mbi bazën e testeve të njohura ndërkombëtare.
Për programin e studimit Master Profesional në “Psikologji shkollore”
§ Pasurimin e biblotekës me literaturë shkencore e akademike në gjuhën shqipe në përputhje me lëndët.
§ Rishikimin edhe njëherë të disa programeve si psh. Zhvillimi i fëmijës dhe adoleshentit , pasi ngjajnë me programin e nivelit të parë.
§ Ndërtimi i një klinike këshillimi dhe psikoterapie, e pajisur me infrastukturën dhe teknologjinë e përshtatshme për vëzhgimin e seancave dhe punës konkrete me rste specifike. Si dhe hartimin e një rregullore përkatëse në përputhje me parimet etike të praktikës së psikologut.
§ Të sigurohet që studentët e këtij programi studimi të japin në përfundim dhe provimin e gjuhës angleze, mbi bazën e testeve të njohura ndërkombëtare.
Këshilli i Akreditimit, bazuar në kompetencën që i jep Ligji Nr 9741, datë 21.5.2007, Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, Vendim Nr.424, dat ë 02.6.2010 “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë” dhe Vendim Nr.368, datë 14.4.2011 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Vendimin Nr. 424, Datë 2.6.2010, të Këshillit të Ministrave “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë”, të ndryshuar”, i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës:
Programi i Studimit: Bachelor në “Psikologji”
të akreditohet.
Programi i Studimit: Bachelor në “Informatikë Ekonomike”, me profile:
a. Menaxhim biznesi
b. Financë dhe Bankë
të akreditohet.
Programi i Studimit: Master i Shkencave në “Shkenca Edukimi”, me profile:
a. Politikat e edukimit
b. Administrim Shkollor
të akreditohet.
Programi i Studimit: Master Profesional në “Informatikë e Aplikuar, me profile:
a. Dizenjim dhe Zhvillim Aplikimesh
b. Baza të Dhënash
c. Informatikë Sociale
të akreditohet.
Programi i Studimit: Master Profesional në “Psikologji shkollore”
të akreditohet.
BARDHYL MUSAI
KRYETAR I KËSHILLIT TË AKREDITIMIT