Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë

VENDIM Nr. 50 datë 27.10.2009 - SHLUP “UFO University”

KËSHILLI I AKREDITIMIT
VENDIM
Nr. 50 datë 27.10.2009

Për akreditimin e Programit të Studimit në Shkenca Juridike 4-vjeçar si dhe të Programeve të Studimit të Ciklit të Parë në: Financë – Bankë; Psikologji e Përgjithshme; Shkenca Komunikimi, të Shkollës së Lartë Universitare Private “UFO University”.
Këshilli i Akreditimit, pasi shqyrtoi vlerësimin e Programit të Studimit 4-vjeçar në “Shkenca Juridike” (240 ECTS), si dhe Diplomat e Nivelit të Parë (3 vjeçare) në “Financë - Bankë”, “Psikologji e Përgjithshme”, “Shkenca Komunikimi”, të Shkollës së Lartë Universitare Private “UFO University”, të kryer në periudhën Prill 2009 – Tetor 2009, mbështetur në raportin e vetëvlerësimit, raportin e vlerësimit të jashtëm, në raportimin e Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë si dhe raportimin e ekspertëve të jashtëm, jep vlerësimin përfundimtar pozitiv me kusht për akreditimin e Programeve të Studimit të Ciklit të Parë (4-vjeçare) në: “Shkenca Juridike”, si dhe Diplomat e Nivelit të Parë (3 vjeçare) në “Financë - Bankë”, “Psikologji e Përgjithshme”, “Shkenca Komunikimi”, pasi janë në përputhje me standardet, kërkesat ligjore dhe akademike në fuqi. Këshilli i Akreditimit vëren se ka edhe disa mangësi në realizimin tërësor dhe me cilësi të procesit të formimit të studentëve dhe pajisjes së tyre me dijet dhe shprehitë e nevojshme dhe, për këtë qëllim REKOMANDON
(i) Struktura organizative
· SHLUP "UFO University" duhet të punojë për të plotësuar strukturën e Fakulteteve me personelin e nevojshëm drejtues   sipas organigramës së re.
· Të krijohen këshillat e fakulteteve dhe ato të kryejë funksionet që i janë dhënë nga Statuti i SHLUP "UFO University".
· Të plotësohen në një kohë sa më të shpejtë kriteret e titullit për dekanin e Fakultetit të Shkencave Shoqërore dhe përgjegjësen e Departamentit të shkencave juridike në përputhje me statutin e miratuar nga SHLUP "UFO University".
· Të forcohet më tej autonomia drejtuese, me qëllim që pesha e vendimeve dhe e zgjidhjeve të përqendrohet te individët që kanë marrë përsipër drejtimin dhe realizimin e programeve të studimit.
· Të hartohen rregulloret e Fakulteteve dhe rregulloret e veçanta për funksionimin e programeve të studimit në psikologjinë e përgjithshme, financë-bankë dhe shkencat e komunikimit.
(ii) Personeli
· Departamentet të shohin me përparësi rekrutimin e personelit me tituj e grada me synimin që titullarët kryesorë të lëndëve dhe moduleve të jenë të angazhuar me kohë të plotë në fakultet.
· Kontratat e personelit të brendshëm të jenë më specifike dhe të përmbajnë detyrime kontraktuale për 40 orë punë në javë, me specifikime për ngarkesën mësimore sipas shkallës së kualifikimit.
· Të përcaktohen kufijtë minimalë dhe maksimal të ngarkesës që duhet të realizojë në auditor personeli akademik i brendshëm dhe i jashtëm sipas shkallës së kualifikimit.
· Të organizohet një sistem i mirëfilltë të kontrollit të brendshëm të cilësisë, i cili të përfshijë vlerësime nga të gjitha strukturat mësimore të SHLUP "UFO University", duke përfshirë edhe vlerësimin e studentëve nëpërmjet anketimeve anonime në përfundim të lëndëve. Gjithashtu të krijohet një dosje ku të administrohen të gjitha vlerësimet dhe kontrollet e ushtruara për personelin mësimdhënës.
(iv) Bashkëpunimet
· Të punohet akoma më shumë për të fuqizuar dhe institucionalizuar në mënyrë të qëndrueshme marrëdhëniet me IAL-të brenda dhe jashtë vendit. Marrëveshjet e deritanishme të materializohen në Memorandume bashkëpunimi.
(v) Studentët
· Drejtuesit të rishikojnë procedurat e pranimit të studentëve duke përcaktuar kritere përzgjedhjeje që të mundësojnë rritjen e cilësisë së formimit në të gjitha programet e studimit.
· Të hapet zyra e karrierës për studentët.
(vi) Kërkimi shkencor
· Të zgjerohet kërkimi dhe aktiviteti shkencor në nivel departamenti dhe fakulteti, mbështetur nga strategji dhe plane të plota veprimi për kërkimin shkencor, fonde dhe procedura raportimi.
· Të shihet mundësia e përfshirjes aktive të studentëve në punën kërkimore të departamenteve.
(vii) Infrastruktura dhe lehtësirat
· Të shihet mundësia e zhvendosjes së departamentit të Financës në mjedise më të përshtatshme për zhvillimin e procesit mësimor.
· Të pasurohet fondi i bibliotekës me librat e të gjitha fushave. Ky pasurim të vazhdohet me revista të huaja dhe të vendit që botohen në institucione të ndryshme. Të shihet mundësia e instalimit për pedagogët dhe studentët e bibliotekave online, lidhjen elektronike me biblioteka të tjera, si dhe krijimin e një sistemi elektronik informacioni për studentët.
· Të shihet mundësia e ndarjes së sallës së bibliotekës së Fakultetit nga mjediset e kafesë.
Këshilli i Akreditimit, bazuar në kompetencën që i jep Ligji Nr 9741, datë 21.5.2007, Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, VKM Nr. 303, datë 1.7.1999, Për Krijimin e Sistemit të Akreditimit në Arsimin e Lartë, i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës:
Programi i Studimit: 4-vjeçar në: “Shkenca Juridike” të akreditohet me kusht
Programi i Studimit: Diplomë e Nivelit të Parë “Financë - Bankë” të akreditohet me kusht
Programi i Studimit: Diplomë e Nivelit të Parë “Psikolog i Përgjithshëm” të akreditohet me kusht
Programi i Studimit: Diplomë e Nivelit të Parë “Shkenca Komunikimi” të akreditohet me kusht
Në zbatim të rekomandimeve të mësipërme, Shkolla e Lartë Universitare Private “UFO University”, duhet të përmbushë detyrimet brenda periudhës 1-vjeçare.

 

KËSHILLI i AKREDITIMIT