Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë

VENDIM Nr. 51 datë 09.11.2009 - SHLUP “Universiteti Kristal”

KËSHILLI I AKREDITIMIT
VENDIM
Nr. 51 datë 09.11.2009

Për akreditimin e Programeve të Studimit të Ciklit të Parë Diplomë e Nivelit të Parë në:
Financë; Administrim Biznesi; Marrëdhënie Ndërkombëtare; Elektronikë; Informatikë; Infermieri, të Shkollës së Lartë Universitare Private “Universiteti Kristal”.
Këshilli i Akreditimit, pasi shqyrtoi vlerësimin e Programeve të Studimit Diplomë e Nivelit të Parë (3 vjeçare) në: “Financë”, “Administrim Biznesi”, “Marrëdhënie Ndërkombëtare”, “Elektronikë”, “Informatikë”, “Infermieri”, të Shkollës së Lartë Universitare Private “Kristal”, të kryer në periudhën Prill 2009 – Tetor 2009, mbështetur në raportin e vetëvlerësimit, raportin e vlerësimit të jashtëm, në raportimin e Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë si dhe raportimin e ekspertëve të jashtëm, jep vlerësimin përfundimtar pozitiv me kusht për akreditimin e Programeve të Studimit të Ciklit të Parë, Diplomë e Nivelit të Parë (3 vjeçare) në “Financë”, “Administrim Biznesi”, “Marrëdhënie Ndërkombëtare”, “Elektronikë”, “Informatikë”, “Infermieri”, pasi në përgjithësi janë në përputhje me standardet, kërkesat ligjore dhe akademike në fuqi. Këshilli i Akreditimit vëren se ka edhe disa mangësi, një pjesë e të cilave kërkojnë vëmendje të veçantë, për realizimin tërësor dhe me cilësi të procesit të formimit të studentëve dhe pajisjes së tyre me dijet dhe shprehitë e nevojshme dhe, për këtë qëllim
REKOMANDON
Shkolla e lartë private “Universiteti Kristal”:
1. Të konstituojë regjistrin themeltar të studentëve në përputhje me normat ligjore në Republikën e Shqipërisë.
2. Të garantojë hedhjen e notave të çdo studenti në një regjistër të posaçëm pas përfundimit të çdo sesioni provimesh dhe përputhjen e tyre me fletët e notave.
3. Të përmbushë detyrimin ligjor për burimet njerëzore akademike sipas neneve të ligjit të arsimit të lartë.
4. Të ristrukturojë sipas normave ligjeve në fuqi organigramën e fakulteteve të Shkencave Politike dhe Menaxhim Biznesit.
Për programe të veçanta studimi:
i. DNP në Marrëdhënie Ndërkombëtare:
Të bëhet Ndryshim strukturor në bllokun e lëndëve dhe të specifikohet profili marrëdhënie ndërkombëtare.
ii. DNP në Financë dhe Administrim Biznes:
1. Struktura organizative
Të plotësohet struktura e Fakultetit me personelin e nevojshëm drejtues. Të rikonsiderohet formatimi që i është dhënë Departamentit të Formimit të Përgjithshëm, të mënyrë që ai të kthehet në një strukturë funksionale. Të hartohet nga Fakulteti një plan veprimtarish për qendrën e sapo krijuar dhe modalitet e financimt të saj.
2. Personeli
Të shihet me përparësi rekrutimi i stafit me tituj e grada me synimin që titullarët kryesorë të lëndëve dhe moduleve të jenë të angazhuar me kohë të plotë në fakultet. Të rriet numri i personelit mbështetës. Rekrutimi i personelit për Qendrën e mbledhjes dhe përpunimit të të dhënave ekonomike në nivel rajonal duhet të mundësohet nga Universiteti brenda vitit mësimor 2009-2010.
3. Mësimdhënia
Të bëhen ndryshimet e nevojshme në planin mësimor për ta sjellë atë në kërkesat e miratuara nga MASH (të shihet numri i provimeve dhe ngarkesa mësimore jashtë auditorit).
4. Infrastruktura dhe lehtësirat
Të pasurohet fondi i bibliotekës me librat e fushës së ekonomisë, financës dhe manaxhimit.
iii. DNP në Infermieri:
1. Të përcaktohet në rregullore pozicioni dhe detyrat e Kancelarit të Fakultetit
2. Të zbatohet ligji dhe Udhëzimet e MASH për ekuivalentimet dhe njohjen e krediteve për studentët.
3. Të merren masa për mbulimin e të gjitha lëndëve me tekste apo leksione.
4. Vlerësimi i brendshëm i cilësisë të konsiderohet e rëndësishme dhe të jetë e vazhdueshme.
Këshilli i Akreditimit, bazuar në kompetencën që i jep Ligji Nr 9741, datë 21.5.2007, Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, VKM Nr. 303, datë 1.7.1999, Për Krijimin e Sistemit të Akreditimit në Arsimin e Lartë, i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës:
Programi i Studimit: Diplomë e Nivelit të Parë “Financë” të akreditohet me kusht

Programi i Studimit: Diplomë e Nivelit të Parë “Administrim Biznes” të akreditohet me kusht

Programi i Studimit: Diplomë e Nivelit të Parë “Marrëdhënie Ndërkombëtare” të akreditohet me kusht

Programi i Studimit: Diplomë e Nivelit të Parë “Elektronikë” të akreditohet me kusht

Programi i Studimit: Diplomë e Nivelit të Parë “Informatikë” të akreditohet me kusht

Programi i Studimit: Diplomë e Nivelit të Parë “Infermieri” të akreditohet me kusht

Në zbatim të rekomandimeve të mësipërme, Shkolla e Lartë Universitare Private “Kristal”, duhet të përmbushë detyrimet:
a. Për regjistrin themeltar të studentëve dhe hedhjen e të gjitha notave përpara lëshimit të diplomave, brenda një periudhe 3-mujore
b. Të gjitha mangësitë e tjera të plotësohen brenda periudhës 1-vjeçare.

 

KËSHILLI i AKREDITIMIT