Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë

VENDIM Nr. 540, datë 09.05.2014 Për akreditimin e Programeve të Studimit të “Universiteti Europian i Tiranës”.

KËSHILLI I AKREDITIMIT
VENDIM
Nr. 540, datë 09.05.2014
Për akreditimin e Programeve të Studimit që përfundojnë me Doktor në “Shkenca Ekonomike, me profile: Financë; Menaxhim; Ekonomi dhe zhvillim i qëndrueshëm; Menaxhim i sistemeve të informacionit”; Doktor në “Shkenca Sociale, me profile: Shkenca Komunikimi; Shkenca politike dhe marrëdhënie ndërkombëtare; Sociologji – Antropologji Sociale; Psikologji – Pedagogji” dhe Doktor në “Shkenca Juridike, me profile: E Drejtë publike; E Drejtë Ndërkombëtare; E Drejtë Civile; E Drejtë Biznesi”, të “Universiteti Europian i Tiranës”.

Këshilli i Akreditimit, pasi shqyrtoi vlerësimin e Programeve të Studimit që përfundojnë me Doktor në “Shkenca Ekonomike, me profile: Financë; Menaxhim; Ekonomi dhe zhvillim i qëndrueshëm; Menaxhim i sistemeve të informacionit”; Doktor në “Shkenca Sociale, me profile: Shkenca Komunikimi; Shkenca politike dhe marrëdhënie ndërkombëtare; Sociologji – Antropologji Sociale; Psikologji – Pedagogji” dhe Doktor në “Shkenca Juridike, me profile: E Drejtë publike; E Drejtë Ndërkombëtare; E Drejtë Civile; E Drejtë Biznesi”, të “Universiteti Europian i Tiranës”, mbështetur në raportin e vetëvlerësimit, raportin e vlerësimit të jashtëm, në raportimin e Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë, bazuar në kompetencën që i jep Ligji Nr 9741, datë 21.5.2007, Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, Vendim Nr.424, datë 02.6.2010 “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë” dhe Vendim Nr.368, datë 14.4.2011 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Vendimin Nr. 424, Datë 2.6.2010, të Këshillit të Ministrave “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë”, të ndryshuar”, nuk mund të marrë në këtë moment një vendim pasi:

§  Vërejtjet dhe mangësitë e konstatuara nga raporti i vlerësimit të jashtëm janë të rëndësishme për program të këtij niveli dhe të dhënat në dispozicion të KA dhe APAAL, janë të pamjaftueshme për të gjykuar mbi shkallën e përputhshmërisë me standardet.

§  Vërejtjet e mësipërme kanë të bëjnë kryesisht me:
o   raportin midis stafit të angazhuar dhe numrit të doktorantëve të rekrutuar;
o   numrin e anëtarëve të stafit me gradën/titullin e lejuar për të kryer udhëheqje;
o   angazhimit në disa raste të udhëheqësve që nuk kanë kualifikimin e duhur për të marrë përsipër udhëheqje.
o   Pamjaftueshmërisë së strukturës kërkimore

Për arsyet më sipër, Këshilli i Akreditimit, kërkon të dhëna të përditësuara, të sakta dhe të plota në lidhje me numrin e doktorantëve aktualë, listat e studentëve me udhëheqësin përkatës, kualifikimin dhe fushën e ekspertizës; të dhëna të tjera që lidhen me të diplomuarit eventualë dhe të tjerët sipas viteve të ndjekjes së doktoraturës dhe një informacion më të detajuar në lidhje me strukturën kërkimore në dispozicion të doktorantëve.

KËSHILLI i AKREDITIMIT