KËSHILLI I AKREDITIMIT
VENDIM
Nr. 542, datë 08.05.2014
1. Për hapjen e Fakultetit të Drejtësisë dhe Shkencave Politike, në Universitetin “Ismail Qemali”, Vlorë.
2. Për Programin e Studimit të Ciklit të Dytë që përfundon me Master Profesional (MP) në:
a. E DREJTË PRIVATE
Këshilli i Akreditimit, pasi shqyrtoi relacionin “Për hapjen e Fakultetit të Drejtësisë dhe Shkencave Politike” dhe propozimin për hapjen e Programit të ri të studimit Master Profesional në “E Drejtë Private”, të kërkuar nga Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë, bazuar në raportin e vlerësimit teknik dhe në përmbajtje, raportimin e Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë për procedurën e vlerësimit dhe respektimin e kritereve si edhe bazuar në standardet shtetërore të cilësisë, arrin në këtë përfundim:
1. Përmbajtja e strukturës së Fakultetit të Drejtësisë dhe Shkencave Politike, nuk përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Negativ, me argumentet e mëposhtme:
§ Dokumentacioni i paraqitur për ndryshimin e organigramës akademike nuk mbështetet në aktet ligjore ekzistuese në të cilat Universiteti i Vlorës ka detyrimin të organizojë organigramën. Akti i fundit ligjor i organizimit është VKM Nr. 822, datë 5.12.2007 dhe Urdhëri i Ministrit nr. 398, datë 10.08.2011.
§ Në organizimin e ri që do të realizojë mbetet e paqartë struktura akademike e Fakultetit të Drejtësisë dhe Ekonomisë, i cili mbetet me dy njësi bazë duke mos përmbushur kriteret e Ligjit të Arsimit të Lartë.
2. Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Master Profesional në “E drejtë Private”: Nisur nga kërkesa për licensimin e programit të studimit në njësinë kryesore Fakulteti i Drejtësisë dhe Shkencave Politike, Këshilli i Akreditimit, jep vlerësim Negativ për sa kohë, Fakulteti që parashikohet të mbulojë këtë program studimi, ka marrë vendim negativ.
Këshilli i Akreditimit, bazuar në kompetencën që i jep Ligji Nr 9741, datë 21.5.2007, Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, Vendim Nr.424, datë 02.6.2010 “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë” dhe Vendim Nr.368, datë 14.4.2011 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Vendimin Nr. 424, Datë 2.6.2010, të Këshillit të Ministrave “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë”, të ndryshuar”, i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe të Sportit:
Institucioni: Fakulteti i Drejtësisë dhe Shkencave Politike, në Universitetin “Ismail Qemali”, Vlorë
të mos hapet
Programi i Studimit: Master Profesional në E Drejtë Private
të mos hapet
KËSHILLI i AKREDITIMIT