Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë

VENDIM Nr. 55 datë 04.12.2009 - Universiteti “Luigj Gurakuqi”

KËSHILLI I AKREDITIMIT
VENDIM
Nr. 55 datë 04.12.2009

Për vlerësimin e Programeve të Studimit të Ciklit të Dytë që përfundojnë me Master të Nivelit të Parë (MNP) në Mësuesi për Ciklin e Lartë të Arsimit Bazë (CLAB) në lëndët:
· HISTORI – GJEOGRAFI
· EDUKIM FIZIK DHE SPORTE
Këshilli i Akreditimit, pasi shqyrtoi propozimet për Programet e Reja të Studimit, Master i Nivelit të Parë në Mësuesi për Ciklin e Lartë të Arsimit Bazë (CLAB)në lëndët: Histori - Gjeografi, Edukim Fizik dhe Sporte, të kërkuar nga Fakulteti i Shkencave të Edukimit, Universiteti “Luigj Gurakuqi” Shkodër, bazuar në raportin e vlerësimit teknik, raportimin e Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë për procedurën e vlerësimit dhe respektimin e kritereve, bazuar në standardet shtetërore të cilësisë, arrin në këtë përfundim:
· Përmbajtja e Programit të Ri të Studimit, Master i Nivelit të Parë në Mësuesi për Ciklin e Lartë të Arsimit Bazë (CLAB) në Histori – Gjeografi, përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin pozitiv me sugjerime që:
1. Të ndryshohet koha e parashtrimit të kritereve nga 1 muaj në 1 vit, pasi një gjendje e tillë ka krijuar keqkuptime dhe pështjellime të shumta dhe shpesh edhe justifikime për përshkallëzim të masave kundërvepruese nga studentët.
2. Disa prej programeve duhen përmirësuar në mënyrë që vlerësimi të konkretizohet dhe të jetë më i qartë për studentët në raport progresin e tyre në universitet.
3. Koha jashtë auditorit për çdo lëndë duhet qartësuar me llojin e aktiviteteve mësimore që do të zhvillohen dhe të pasurohen përtej praktikës shkollore, edhe në institucione, shoqata, komunitete të ndryshme shkencore dhe sociale.
· Përmbajtja e Programit të Ri të Studimit, Master i Nivelit të Parë në Mësuesi për Ciklin e Lartë të Arsimit Bazë (CLAB) në Edukim Fizik dhe Sporte, përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin pozitiv me sugjerimin që:
1. Institucioni të bëjë plotësimet lidhur me mundësinë e mbulimit të lëndëve si “Zhvillim Motor dhe Mosha” dhe “Kondicioni Fizik”, me pedagogë me kualifikim të mjaftueshëm shkencor.
2. Emërtimi i Programit të jetë: Edukim Fizik dhe Sportiv
Këshilli i Akreditimit, bazuar në kompetencën që i jep Ligji Nr 9741, datë 21.5.2007, Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, VKM Nr. 303, datë 1.7.1999, për Krijimin e Sistemit të Akreditimit në Arsimin e Lartë, i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës:
Programi i Studimit: Master i Nivelit të Parë në Mësuesi për CLAB në lëndën “Histori - Gjeografi”, të hapet.
Programi i Studimit: Master i Nivelit të Parë në Mësuesi për CLAB në lëndën “Edukim Fizik dhe Sportiv”, të hapet.

 

KËSHILLI i AKREDITIMIT