Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë

VENDIM Nr. 88 datë 16.07.2010 - SHLUP “Ufo University”

KËSHILLI I AKREDITIMIT
VENDIM
Nr. 88 datë 16.07.2010

Për akreditimin e Programeve të Studimit që përfundojnë me Diplomë e Sistemit të Vjetër (4-vjeçare) në “Stomatologji” dhe Diplomë e Integruar të Nivelit të Dytë në “Stomatologji”, të Shkollës së Lartë Universitare Private “Ufo University”.
Këshilli i Akreditimit, pasi shqyrtoi vlerësimin e Programeve të Studimit Diplomë e Sistemit të vjetër (4 vjeçar) në Stomatologji dhe Diplomë e Integruar e Nivelit të Dytë në Stomatologji, Departamenti i Stomatologjisë, Fakulteti i Stomatologjisë, të Shkollës së Lartë Universitare Private “Ufo University”, të kryer në periudhën Maj - Korrik 2010, mbështetur në raportin e vetëvlerësimit, raportin e vlerësimit të jashtëm, në raportimin e Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë, jep vlerësimin përfundimtar pozitiv për Programet e Studimit: Diplomë e Sistemit të vjetër (4 vjeçar) në Stomatologji dhe Diplomë e Integruar e Nivelit të Dytë në Stomatologji pasi janë në përputhje me standardet, kërkesat ligjore institucionale dhe akademike në fuqi.
Këshilli i Akreditimit vëren se në përgjithësi programi i studimit i ka përmbushur objektivat formues, por me qëllim përmirësimin e planit mësimor duke e përafruar më shumë me Udhëzimet e MASH,
REKOMANDON:
Me gjithë vlerësimet pozitive do të shprehim edhe disa sugjerime (përveç atyre që vetë GVB ka nxjerrë në Raportin e Vetëvlerësimit*) që mendojmë të shikohen për të rritur nivelin e këtij institucioni. Këto sugjerime janë:
1. Duke qenë se aktualisht në këtë universitet zhvillohen njëkohësisht dy programe studimi dhe duke marrë në konsideratë mbingarkesën e studentëve në programin 4-vjeçar, në vitin akademik 2010-2011 studentët e vitit të tretë, ndoshta edhe të vitit të katërt, të kalojnë në sistemin 5-vjeçar të studimeve.
2. Të organizohen grupet e studentëve në praktikat mësimore me 15 studentë (nga 28 studentë që është aktualisht).
3. Të riorganizohen më mirë praktikat, duke pakësuar numrin e studentëve.
4. Të bëhet kujdes për përkthimin sa më profesional të teksteve të huaja, të cilët janë përzgjedhur me kujdes dhe përshtatjen e tyre me programin e universitetit.
5. Të përmirësohen kurikulat dhe formimi i bazës mbështetëse për zbatimin optimal të tyre.
6. Të rriten mundësitë e kualifikimeve shkencore me mbështetje nga Institucioni në përputhje me vendimet e qeverisë dhe MASH.
7. Të rritet më tej bashkëpunimi me lektorë dhe mjekë të huaj, duke ndihmuar shkëmbimin e përvojës dhe njohurive.
Këshilli i Akreditimit, bazuar në kompetencën që i jep Ligji Nr 9741, datë 21.5.2007, Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, VKM Nr. 303, datë 1.7.1999, Për Krijimin e Sistemit të Akreditimit në Arsimin e Lartë, i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës:
Programi i Studimit: Diplomë e sistemit të Vjetër (4–vjeçar) në Stomatologji të akreditohet me kusht që në përfundim të vitit akademik 2010-2011, ky program të jetë integruar me atë me kohëzgjatje 5 vjeçarë (300 ECTS)
Programi i Studimit: Diplomë e Integruar e Nivelit të Dytë në Stomatologji të akreditohet.

 

KËSHILLI i AKREDITIMIT