Për Programet e Studimit të Ciklit të Parë që përfundojnë me Bachelor (B.Sc.) në:
- ADMINISTRIM BIZNESI
- INFORMATIKË E APLIKUAR
Për Programet e Studimit të Ciklit të Dytë që përfundojnë me Master Profesional (MP) në:
- ZHVILLIM I QËNDRUESHËM
- EDUKIM, me profile:
- a.Mësimdhënia e të nxënit
- b.Administrim i Arsimit
Këshilli i Akreditimit, pasi shqyrtoi propozimet për Programet e Reja të Studimit Bachelor dhe Master Profesional të kërkuara nga Shkolla e Lartë Private “Marin Barleti”, bazuar në raportin e vlerësimit teknik dhe në përmbajtje, raportimin e Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë për procedurën e vlerësimit dhe respektimin e kritereve, bazuar në standardet shtetërore të cilësisë, arrin në këtë përfundim se:
1.Përmbajtja e Programit të Ri të Studimit, B.Sc. në “Administrim Biznesi”, përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Pozitiv.
2.Përmbajtja e Programit të Ri të Studimit, B.Sc. në “Informatikë e Aplikuar”, përmbush pjesërisht standardet e cilësisë dhe për këtë arsye vendos kushtet e mëposhtme, pas plotësimit dhe verifikimit të të cilave jep vlerësim përfundimtar:
Kushtet:
- Seancat laboratorike të parashikohen me rëndësinë e duhur, nën drejtimin e pedagogëve përkatës si dhe të realizimit të detyrave (punimeve) të kursit;
- Të rregullohet raporti orë mësimi në auditor/punë e pavarur e studentit për vitin e parë dhe të tretë të studimeve;
- Të respektohen kriteret për titullarët e lëndëve pasi jo gjithmonë zotërojnë kualifikimin e kërkuar.
- Të paraqiten CV e titullarëve të lëndëve që do të angazhohen në mësimdhënie.
- Të përputhet ngarkesa në kredite ECTS në disiplinat me zgjedhje të studentit pasi tejkalon kriterin.
- Të përshtaten mënyrat e vlerësimit dhe të shpërndarjes së ngarkesës mësimore.
- Të paraqitet shpërndarja e orëve në auditor në javë për lëndët me zgjedhje.
3.Përmbajtja e Programit të Ri të Studimit, MP në “Zhvillim i Qëndrueshëm”, nuk përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Negativ, me argumentet:
- Në planin mësimor nuk është paraqitur ngarkesa javore në auditor.
- Nuk janë paraqitur javët mësimore sipas semestrave.
- Kreditet nuk janë të shpërndara sipas formave të mësimdhënies.
- Në planin mësimor nuk dalin qartë format e mësimdhënies.
- Numri i ECTS për provën finale nuk është i përshtashëm për këtë Program studimi.
- Orët në auditor të provës finale nuk janë llogaritur drejt.
- Orët e praktikës profesionale nuk janë llogaritur drejt.
- Në të gjitha syllabuset mungojnë elementët e mëposhtëm si: Ngarkesa e studentëve në orë mësimore për të gjitha elementët e programit; temat dhe plani i orëve praktike për çdo javë mësimore; njohuritë paraprake që duhet të zotërojë studenti për të ndjekur modulin.
- Mungojnë CV-të e personelit akademik të angazhuar në këtë program studimi.
4.Përmbajtja e Programit të Ri të Studimit, MP në “Edukim”, me profile: Mësimdhënia e të nxënit; Administrim i Arsimit, përmbush pjesërisht standardet e cilësisë dhe për këtë arsye vendos kushtet e mëposhtme, pas plotësimit dhe verifikimit të të cilave jep vlerësim përfundimtar:
Kushtet:
- Të paraqiten CV-të e titullarëve të lëndëve.
- Të rishikohet edhe njëherë ngarkesa në orë dhe ECTS e praktikës (në auditor dhe punë individuale).
- Të paraqitet literatura bazë në gjuhën shqipe për ato lëndë ku ajo mungon.
- Të përcaktohet qartë në rregulloren e studimeve gjuha angleze si kriter në hyrje, pasi ka lëdë që jepen nga pedagogë të huaj.
Këshilli i Akreditimit, bazuar në kompetencën që i jep Ligji Nr 9741, datë 21.5.2007, Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, VKM Nr. 303, datë 1.7.1999, për Krijimin e Sistemit të Akreditimit në Arsimin e Lartë, i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës:
Programi i Studimit: Bachelor në Administrim Biznesi
të hapet
Programi i Studimit: Master Profesional në Zhvillim i Qëndrueshëm
të mos hapet
Institucioni aplikues Shkolla e Lartë Private “Marin Barleti”, për programet e studimit: B.Sc. në “Informatikë e Aplikuar” dhe MP në “Edukim”, me profile: Mësimdhënia e të nxënit; Administrim i Arsimit, pasi të kenë plotësuar kushtet e mësipërme për këto programe studimi, të njoftojë zyrtarisht Këshillin e Akreditimit, i cili, pas verifikimit, do të rifillojë procedurën për vlerësimin e programeve të mësipërme.
Z. Emil Lamani dhe Z. Vladimir Nika nuk ishin të pranishëm në këtë mbledhje.