Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë

VENDIM Nr. 215 datë 29.07.2011, Universiteti “Fan S. Noli”, Korçë

Programet e Studimit të Ciklit të Dytë që përfundojnë me Master Profesional (MP) në:
1. TURIZËM
2. ADMINISTRIM BIZNESI
3. FINANCË – KONTABILITET

Programin e Studimit të Ciklit të Dytë që përfundon me Master i Shkencave (M.Sc.) në:
1. ADMINISTRIM BIZNESI NË TURIZËM DHE MIKPRITJE

Këshilli i Akreditimit, pasi shqyrtoi propozimet për Programet e Reja të Studimit, Master Profesional dhe Master i Shkencave, të kërkuara nga Universiteti “Fan S. Noli”, Korçë, bazuar në raportet e vlerësimit teknik dhe në përmbajtje, raportimin e Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë për procedurën e vlerësimit dhe respektimin e kritereve, bazuar në standardet shtetërore të cilësisë, arrin në këtë përfundim:

1. Përmbajtja e Programit të Ri të Studimit, MP në “Turizëm”, përmbush pjesërisht standardet e cilësisë dhe për këtë arsye vendos kushtet e mëposhtme, pas plotësimit dhe verifikimit të të cilave jep vlerësim përfundimtar:
Kushtet:
 Të rishikohet dhe të përdoret literaturë më bashkëkohore.
 Të plotësohen syllabuset me vitin e botimit të literaturës bazë dhe ndihmëse.
 Të paraqitet literatura bazë për syllabusin e lëndës “Administrimi i mjedisit”.
 Të rishikohen të gjithë syllabuset e lëndëve në mënyrë që ato të përmbajnë të gjithë elementët e tyre përbërës.

2. Përmbajtja e Programit të Ri të Studimit, MP në “Administrim Biznesi”, përmbush pjesërisht standardet e cilësisë dhe për këtë arsye vendos kushtet e mëposhtme, pas plotësimit dhe verifikimit të të cilave jep vlerësim përfundimtar:
Kushtet:
 Të paraqiten orët mësimore në auditor të ndarë sipas formave të mësimdhënies.
 Të përputhen sipas Udhëzimeve të MASh të dhënat për orët mësimore në auditor dhe ECTS për Praktikën profesionale dhe Tezën e Diplomës.
 Të përmirësohen syllabuset e lëndëve me elementët si: Temat e lëndëve të paraqitura më të zgjeruara; të paraqiten format e vlerësimit të studentëve dhe detyrimet e studentit për lëndën.
 Të paraqitet literaturë ndihmëse për lëndën “Sistemet e informacionit të menaxhimit”; “Lidershipi”; “Seminar praktik në menaxhim”; “Metodologji kërkimi” dhe “Legjislacion tatimor”.

3. Përmbajtja e Programit të Ri të Studimit, MP në “Financë - Kontabilitet”, nuk përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Negativ, me argumentin: Programi nuk ëshë ndërtuar në përputhje të plotë me Udhëzimin e MASh dhe syllabuset, literatura dhe qartësia e strukturës së lëndëve nuk jepen të qarta.

4. Përmbajtja e Programit të Ri të Studimit, M.Sc. në “Administrim Biznesi në turizëm dhe mikpritje”, nuk përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Negativ, me argumentat:
 IAL nuk ka mbajtur parasysh Udhëzimin nr. 15 MASH datë 04.04.2008 për hartimin e planit mësimor: Numri i provime është më i madh sesa numri i lejuar (20 provime nga 14 të lejuara)
 Orët në auditor më të ulta se minimumi i kërkuar (1050 orë nga 1200 të kërkuara). Të rillogariten orët e praktikës.
 Ka një diferenca midis numrit të krediteve dhe orëve në auditor në shumë module.
 Nuk reflektohen në planim mësimor orët jashtë auditorit, format e mësimdhënies (leksione, seminare).
 Kriteret e pranimit nuk janë vendosur duke marrë në konsideratë Programin e Studimit.
 Ka mospërputhje të kritere me ato të parashikuara nga legjislacioni.
 Kriteret specifike të pranimit nuk janë të përshtatshme për PS. Një pjesë e madhe e kritereve shtesë janë kritereve që vendosen për programet e ciklit të tretë.
 Vënia e gjuhës së huaj si kriter pranimi bie në kundërshtim me nenin 26, të Ligjit nr.10 307 datë 22.7.2010 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.9741, datë 21.5.2007 “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar pika 1.2.1c (studentët e këtij programi studimi duhet të japin në përfundim edhe provimin e gjuhës angleze, mbi bazën e testeve të njohura ndërkombëtare).
 Nuk deklarohet lista e diplomave që regjistrohen me detyrime shtesë.
 Syllabuset nuk përmbajnë: ndarjen e literaturës në: Literatura e detyruar dhe ndihmëse; Planin kalendar të modulit; Njohuritë paraprake që duhet të zotërojë studenti për të ndjekur modulin; Format e vlerësimit dhe detyrimet e lëndës paraqiten së bashku. Nuk jepen shpjegime në lidhje me vlerësimin me notë; Ngarkesa e studentëve në orë mësimore për të gjitha elementët e programit; Kohëzagjatja në disa syllabuse nuk përputhet me atë të planit mësiomor.
 Dy module .”Menaxhimi i territorit turistik” dhe “Turizmi i qëndrueshëm” kanë të njëjtën literaturë.
 Mungojnë marrëveshjet e bashkëpunimit me Universitetin e Tiranws, Universitetin e Durrwsit dhe institucione të tjera sipas niveli të angazhimit të stafit akademik.

Këshilli i Akreditimit, bazuar në kompetencën që i jep Ligji Nr 9741, datë 21.5.2007, Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, VKM Nr. 303, datë 1.7.1999, për Krijimin e Sistemit të Akreditimit në Arsimin e Lartë, i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës:


Programi i Studimit: Master Profesional në Financë - Kontabilitet
të mos hapet

Programi i Studimit: Master i Shkencave në Administrim Biznesi në Turizëm dhe Mikpritje
të mos hapet

Institucioni aplikues Universiteti “Fan S. Noli”, Korçë, për programet e studimit: MP në “Turizëm” dhe MP në “Administrim Biznesi”, pasi të jenë plotësuar kushtet e mësipërme për secilin program studimi, të njoftojë zyrtarisht Këshillin e Akreditimit, i cili, pas verifikimit, do të rifillojë procedurën për vlerësimin e programeve të mësipërme.

Z. Emil Lamani dhe Z. Vladimir Nika nuk ishin të pranishëm në këtë mbledhje.