Programi i Studimit të Ciklit të Parë që përfundon me Bachelor (B.Sc.) në:
1. EKONOMI TURIZMI
Programet e Studimit të Ciklit të Dytë që përfundojnë me Master Profesional (MP) në:
1. FINANCË
2. KONTABILITET
3. ADMINISTRIM - BIZNES
Këshilli i Akreditimit, pasi shqyrtoi propozimet për Programet e Reja të Studimit, Bachelor dhe Master Profesional, të kërkuara nga Universiteti “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan, bazuar në raportet e vlerësimit teknik dhe në përmbajtje, raportimin e Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë për procedurën e vlerësimit dhe respektimin e kritereve, bazuar në standardet shtetërore të cilësisë, arrin në këtë përfundim:
1. Përmbajtja e Programit të Ri të Studimit, B.Sc. në “Ekonomi Turizmi”, nuk përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Negativ, me argumentet:
Nuk janë specifikuar objektivat e programit të studimit.
Nuk janë paraqitur marrëveshjet e bashkëpunimit me IAL-të e huaja në kundër të projektit TEMPUS.
Ka disa gabime në llogaritje në planin mësimor (Viti i III).
Syllabuset e paraqitura nuk përmbajnë ndarjen e literaturës në: literaturë të detyruar dhe ndihmëse; nuk kanë paraqitur planin kalendar të modulit; nuk kanë të përcaktuar vitin dhe semestrin kur do të realizohet çdo modul sipas planit mësimor.
Ka mbivendosje të literaturës në modulet: “Ekonomi turizëm: “Drejtim marketingu dhe turizmi”; “Ndërmarrjet turistike” dhe “Menaxhimi i marrëdhënieve me klientin”.
Nuk është paraqitur asnjë literaturë në gjuhën shqipe për modulet: “Metoda kërkimi”; “Drejtim marketingu dhe turizmi”; “Informatika”; “Destinacione turistike” dhe “Komunikim marketingu në turizëm”.
Syllabuset për modulet “Bazat e turizmit” dhe “Menaxhimi i turizmit” janë kopje të njëri tjetrit.
Syllabuset “Marketingu i shërbimeve turistike”; “Strategji marketing në turizëm” dhe “Komunikim marketing në turizëm” nuk reflektojnë në përmbajtje dhe literaturën emërtimin e modulit.
2. Përmbajtja e Programit të Ri të Studimit, MP në “Financë”, nuk përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Negativ, me argumentet:
Syllabuset e lëndëve nuk përputhen me planin mësimor.
Janë paraqitur syllabuse si “Kontabilitet publik”; “Auditim”; “Kontabilitete financiar i avancuar”; “Kontabilitete kosto drejtim i avancuar”; “Kompjuterizim kontabel” dhe “Konsulencë dhe siguri” të cilat nuk janë pjesë e planit mësimor dhe as nuk kanë lidhje me këtë program studimi.
Nuk janë paraqitur syllabuset e lëndëve “Financat ndërkombëtare”; “Tregjet financiare”; “Drejtim sigurimesh”; “Financat personale”; “Kompjuterizim financiar” dhe “Tregti ndërkombëtare”.
3. Përmbajtja e Programit të Ri të Studimit, MP në “Kontabilitet”, përmbush pjesërisht standardet e cilësisë dhe për këtë arsye vendos kushtet e mëposhtme, pas plotësimit dhe verifikimit të të cilave jep vlerësim përfundimtar:
Kushtet:
Të paraqiten syllabuset e lëndëve “Tregti ndërkombëtare” dhe “Legjislacion tatimor”.
Të dëshmohet se sa e aksesueshme është për studentët literatura në syllabuset e lëndëve.
4. Përmbajtja e Programit të Ri të Studimit, MP në “Administrim - Biznes”, përmbush pjesërisht standardet e cilësisë dhe për këtë arsye vendos kushtet e mëposhtme, pas plotësimit dhe verifikimit të të cilave jep vlerësim përfundimtar:
Kushtet:
Të përcaktohen kritere specifike pranimi për studentët pasi ato të vendosura nuk janë të përshtatshme për të garantuar përzgjedhjen e kandidatëve cilësorë.
Të paraqiten syllabuset e lëndëve/moduleve me të gjithë elementëtë përbërës, duke filluar nga emërtimi e deri tek literatura bazë dhe ndihmëse.
Të dëshmohet se sa e aksesueshme është për studentët literatura në syllabuset e lëndëve “Menaxhim projekti”, “Qeverisje koorporatash” etj.
Të gjitha syllabuset të paraqiten të standartizuara.
Këshilli i Akreditimit, bazuar në kompetencën që i jep Ligji Nr 9741, datë 21.5.2007, Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, VKM Nr. 303, datë 1.7.1999, për Krijimin e Sistemit të Akreditimit në Arsimin e Lartë, i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës:
Programi i Studimit: Bachelor në Ekonomi Turizmi
të mos hapet
Programi i Studimit: Master Profesional në Financë
të mos hapet
Institucioni aplikues Universiteti “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan, për programet e studimit: MP në “Kontabilitet” dhe MP në “Administrim - Biznes”, pasi të jenë plotësuar kushtet e mësipërme për secilin program studimi, të njoftojë zyrtarisht Këshillin e Akreditimit, i cili, pas verifikimit, do të rifillojë procedurën për vlerësimin e programeve të mësipërme.
Z. Emil Lamani dhe Z. Vladimir Nika nuk ishin të pranishëm në këtë mbledhje.