Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë

VENDIM Nr. 224 datë 29.07.2011, Institucionit Privat të Arsimit të Lartë “Shkolla e Lartë Amerikane e Tiranës”

Për akreditimin e Programeve të Studimit që përfundojnë me Diplomë e Nivelit të Parë/Bachelor në “Drejtësi” (3 vite akademike) dhe Diplomë e Nivelit të Parë/Bachelor në “Jurist/specialist ndërmarrjeje” (3 vite akademike), të miratuara me VKM Nr.259, datë 27.02.2008, të Institucionit Privat të Arsimit të Lartë “Shkolla e Lartë Amerikane e Tiranës”.

Këshilli i Akreditimit, pasi shqyrtoi vlerësimet e Programeve të Studimit që përfundojnë me Diplomë e Nivelit të Parë/Bachelor në “Drejtësi” (3 vite akademike) dhe Diplomë e Nivelit të Parë/Bachelor në “Jurist/specialist ndërmarrjeje” (3 vite akademike), të Institucionit Privat të Arsimit të Lartë “Shkolla e Lartë Amerikane e Tiranës”, të kryer në periudhën Tetor 2010 – Maj 2011, mbështetur në raportin e vetëvlerësimit, raportin e vlerësimit të jashtëm, në raportimin e Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë, jep vlerësimin përfundimtar Pozitiv, pasi janë në përputhje me standardet, kërkesat ligjore institucionale dhe akademike në fuqi.

Këshilli i Akreditimit vëren se në përgjithësi programet e studimit, i kanë përmbushur objektivat e tyre formues, por kanë edhe disa mangësi në realizimin tërësor dhe me cilësi të procesit të formimit të studentëve dhe pajisjes së tyre me dijet dhe shprehitë e nevojshme dhe për këtë qëllim

REKOMANDON:

Me gjithë vlerësimet pozitive ka edhe disa sugjerime për të rritur nivelin e këtij institucioni, të cilat janë:

Për programin e studimit “Drejtësi” dhe për programin e studimit “Jurist/specialist ndërmarrjeje”

 Të rishikohet programi i studimit "Jurist ndërmarrje" pasi ka një numër të ulët kërkesash nga studentët.
 Të rritet numri i librave dhe titujve fizikë në shqip.
 Të realizohet një dokumentim më i mirë i sistemit të zyrës së karrierës pasi nuk është shumë i njohur nga studentët.
 Sekretaria duhet të mbajë më me kujdes dokumentacionin dhe të bëhet kontrolluese e boshllëqeve.
 Të rritet roli i Këshillit Studentor.
 Të rishikohen në mënyrë periodike programet e studimit dhe të vlerësohen në nivel departamenti.
 Funksionimi i strukturave kolegjiale dhe evidentimi me vendimmarrje
 Të bëhet më kujdes në lidhjen e kontratave me shkrim sipas kërkesave të Kodit të Punës dhe qartësi në rregullat e pagesave.
 Të realizohen analiza periodike për kurrikulat dhe programet.
 Të përforcohen roli i Këshillit Studentor.
 Të realizohen marrëveshje formale me bashkëpunëtorët sidomos për praktikat.
 Të vazhdojë trajnimi i strukturave të sekretarisë (eksperiencë e pakët e punonjësve të angazhuar).

Këshilli i Akreditimit, bazuar në kompetencën që i jep Ligji Nr 9741, datë 21.5.2007, Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, VKM Nr. 303, datë 1.7.1999, Për Krijimin e Sistemit të Akreditimit në Arsimin e Lartë, VKM Nr. 424, datë 2.6.2010, për Miratimin e rregullores për sistemin e akreditimit, organizimin dhe veprimtarinë e institucioneve të sigurimit të jashtëm të cilësisë, i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës:


Programi i Studimit: Diplomë e Nivelit të Parë/Bachelor në Drejtësi (3 vite akademike)
të akreditohet.

Programi i Studimit: Diplomë e Nivelit të Parë/Bachelor në Jurist/specialist ndërmarrjeje (3 vite akademike)
të akreditohet.

Z. Emil Lamani dhe Z. Vladimir Nika nuk ishin të pranishëm në këtë mbledhje.